Midis nesh

Ndër shqiptarët e Maqedonisë së Veriut përmbytja e vlerave tashmë është bërë një trend me pasoja evidente pa të cilat, mjerisht, sikur nuk po mundemi të funksionojmë. Një prej vlerave karakteristike shqiptare, e që tashmë “po vdes” plotësisht, ishte ndihma e njëri-tjetrit, ruajtja e shpinës njëri-tjetrit, krenaria e të gjithëve me sukseset e shqiptarit. Sot nuk është kështu! Që kur shqiptari krijoi “botën opozitare” (“opozitë në gjithçka”), e krijoi një armik të ri, ose, një kundërshtar potencialisht të përshtatshëm për stërvitje të superioritetit provincial.
Nisur nga ky trend, shqiptarët sot bëhen copash në mes vete, popullaritetin e vet e kërkojnë në gjurmim dhe zbulim të defekteve dhe dobësive, të padrejtësive dhe diskriminimeve politike, kulturore, sociale, shëndetësore, te vetë shqiptarët. Të tjerët nuk na kanë faj, sepse të tjerët janë pushtet. Ne duhet të turremi vetëm drejt pushtetit që kontrollohet prej shqiptarëve sepse shqiptarin duhet ta rrëzojmë që t’ia marrim pozitat eventuale në pushtet.
Le të ndalemi në fushën e aktiviteteve dhe kreativitetit kulturor! Në këtë segment funksionojnë mjaftueshëm edhe subjekte të ndryshme kulturore shqiptare, qoftë si botues, si krijues, si artistë të lëmenjve të ndryshëm. Të gjithë këta subjekte, gjithnjë kanë pasur reagime, gjithnjë kanë shprehur pakënaqësi, janë drejtuar me konferenca për shtyp e me letra të hapura ku kanë kundërshtuar diskriminimin kulturor që po u bëhet shqiptarëve.
Fatkeqësisht, edhe subjektet kulturore shqiptare “armikun” e kanë gjetur te “shqiptari pushtet”! Të gjithë kundërshtimin opozitar e kanë shprehur kundër ministrit shqiptar, madje duke ia kërkuar dhe dorëheqjen, sepse “nuk po jep pare” si ministri, për shembull, maqedonas!
Ministrinë e Kulturës në RMV e kanë udhëhequr tre-katër ministra shqiptarë! Gjithnjë, në të tilla raste, subjektet kulturore shqiptare, artistët e krijuesit shqiptarë, kanë pasur pakënaqësi ndaj ministrit shqiptar! Reagimet kanë qenë vërshimë kundër ministrit. Pra, asnjëherë nuk janë kundërshtuar politikat diskriminuese kulturore që i harton pushteti qendror, ose kryeministri, ose këshillat nacionale për kulturë, por gjithnjë janë kritikuar ministrat shqiptarë.
Programi vjetor për kulturë i ministres aktuale (maqednase) ka qenë diskriminues si asnjë herë më parë! Subjektet kulturore shqiptare kanë përjetuar një përçmim të rënd, një ngushtim të skajshëm të mundësive për punë e për zhvillim, kurse nga ana tjetër, nuk u dëgjua asnjë reagim, asnjë kundërshtim, asnjë protestë nga subjektet kulturore shqiptare. Si duket, pala maqedonase ia ka dalë që të ngrejë një “opozitë” prej vetë subjekteve kulturore shqiptare me detyrë që të reagojnë e ta nënçmojnë çdo punë, çdo sukses dhe çdo përpjekje të ministrave shqiptarë në kulturë. Ndryshe nuk mund të shpjegohet heshtja dhe pajtesa me diskriminimet e skajshme që vijnë nga ministrat maqedonas, të cilët, pa përjashtim, ashiqare vijnë me një bagazh të rëndë të nacionalizmit antishqiptar!
Kur kulturës i prinë një ministër maqedonas, çuditërisht i kap një letargji që të gjithë subjektet kulturore shqiptare, që të gjithë artistët e krijuesit dhe, sapo të emërohet në krye të Ministrisë për Kulturë ndonjë shqiptar, çuditërisht, të gjithë vampirizohen! Dhe, këto protesta të vetë shqiptarëve kundër funksionarit shqiptar, shpesh kanë ndikuar të shkaktojnë “rokadë” në qeveri dhe ministrinë e kulturës t’ua marrin shqiptarëve dhe në krye të emërtojnë ndonjë maqedonas, kjo gjithnjë sa për t’i heshtur pakënaqësitë shqiptarëve. Të gjithë bëhen pulenë, shkojnë e servilosen para këmbëve të ministrit maqedonas, sepse janë të bindur se me sjellje të tilla prej marionete, do t’ia dalin që të marrin ndonjë kockë më të madhe. Dhe, në emër të njëfarë “sinqeriteti artistik” fillon një garë e “spiunimit të madh”! Bëhet kultura me ndërkëmbëza?! /HEJZA/

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You May Also Like

Impakti i muzikës në lëndim të identitetit kulturor

Midis nesh Si te shumica e popujve në Evropë dhe më gjerë,…

Margariti: Logoja e TKOB, vogëlsi/ Artistët paralajmërojnë protesta

Ju falenderoj për vëmendjen që keni dhe për problematika kaq të vogla.…

Diletantizëm në emër të identitetit kulturor

Metodën komuniste pesëdhjetëvjeçare për ta shtrirë zhvillimin kulturor shqiptar vetëm në tri…

Artistët bëjnë për shtetin, po shteti për artistët?

Gati të gjithë artistët që i kemi të njohur nëpër botë famën…