Midis nesh

Partitë janë struktura organizative politike që synojnë pushtetin. Pushteti pa kulturë ngjanë në një trup torzo dhe pa shpirt. Prandaj, nuk mund të ketë pushtet pa kulturë! Të gjithë ato struktura partiake që pretendojnë se po udhëheqin pushtet, kurse në sferën e kulturës janë pa kurrfarë koncepti, pa strategji dhe pa politika kulturore, në fakt janë marioneta prej leckash me aftësi të pashpjegueshme “oratorike”.
Të gjitha partitë shqiptare të periudhës post-komuniste, ato që patën fatin dhe kapacitetet për të drejtuar me popull e me shtet, edhe sot e kësaj dite nuk e kuptuan se kultura nuk është çështje partiake, por mbi të gjitha është çështje shtetërore, siç është mbrojtja, siguria, arsimi, financat etj. Deri më sot, partitë tona janë dëshmuar si struktura që nuk kanë të bëjnë me kulturë, nuk i qasen kulturës e cila është ADN-ja e identitetit kombëtar.
Po futemi në dekadën e katërt të funksionimit të qindra partive shqiptare, të cilat pa reshtur rrahin gjoks se janë të aftë për të drejtuar shtet, ndërsa deri më sot nuk kanë bërë asnjë hap në drejtim të krijimtarisë artistike dhe, përgjithësisht, të kulturës! Nuk ia kanë dalë që të formojnë asnjë grup artistësh, letrarësh, arkeologësh etj. të cilët të kenë sjellë në krijimtarinë e tyre frymë të periudhës së pushtetit partiak.
PS-ja në Shqipëri bëri përpjekje që të krijojë standarde të reja në art dhe kulturë, por që këto “standarde” i rezultuan me djallëzi partiake për t’i partizuar të gjithë ata që dëshirojnë artin dhe kulturën!
LDK-ja ia doli që “të gjithë” shkrimtarët, artistët, kulturologët t’i përfshijë në strukturat e veta që angazhoheshin për zgjidhje politike të çështjes kombëtare! Pra, nuk ia doli që ta brumosë kulturalisht tërë atë potencial dhe ta ngrejë edhe në kulturë atë frymë të lëvizjes gjithëkombëtare.
Nuk ia doli as PDK-ja që të lë qoftë dhe një gjurmë kulturore të partisë. Këtu nuk po flasim për brengën kombëtare të secilës parti apo lider ndaj kulturës kombëtare, por për identitetin kulturor të partive tona.
Cila ishte kultura e BDI-së që la vrragë në artin dhe kulturën e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut! Në drejtim të zgjidhjeve të problemeve politike, sociale, ekonomike, arsimore, kontributi i partive politike pa dyshim që është kontribut shtetëror. Por, në kulturë?!
Nëse dikur artistët, krijuesit, kulturëbërësit shqiptarë përndiqeshin, ishin nën llupën e pushteteve, etiketoheshin, padrejtësoheshin, burgoseshin, vriteshin, sot këta janë në fundin e pamundësisë për të bërë art e kulturë, janë nën presionin e “furtunës natyror” që i mbanë të mbërthyer për muri në gjendje pushkatimi!
Cili ministër shqiptar erdhi në dikasterin e kulturës me një platformë kulturore të “partisë mëmë”, apo me ndonjë strategji kombëtare për zhvillim kulturor? Asnjë, të gjithë që vijnë, me automatizëm vijnë të partizuar dhe të politizuar dhe, me këto “cilësi të larta”, sakaq kërkojnë strategji nacionale për kulturë nga administrata e dikasterit dhe vazhdojnë të bëjnë “kulturë” e të drejtojnë shtet!
Shteti ka dy duar: në njërën dorë mbanë të gjitha politikat dhe në tjetrën kulturën dhe këtu i duhet një balancim i përkryer! Cilado dorë që ngarkohet me peshë të papërballueshme, do të anojë nga pesha duke e tërhequr në rënie edhe dorën “e lehtë”!
Të gjitha partitë shqiptare, tash e tridhjetë e ca vite drejtojnë me shtet e pushtet, ndërsa akoma nuk ia kanë dalë që të hartojnë kolona lekturash për nxënësit shqiptarë.
Angazhimi i zyrtarizimit të gjuhës shqipe pa zhvillim të letërsisë kombëtare dhe pa ngritje në kult të institucionit të leximit, është angazhim sa i kotë aq edhe mund të na dalë i dëmshëm e i turpshëhm!
Sepse, cilën gjuhë ta zyrtarizojmë? Këtë që po na bastardohet ditë e më shumë si pasojë e zhdukjes së traditës për ta kultivuar të bukurën, artin, letërsinë, leximin!
Asnjë parti politike në Shqipëri nuk e di se kur Teatri Kombëtar do të bëhet me objektin e vet! Asnjë parti shqiptare në Kosovë nuk e di se kur do të bëhet godina e Teatrit, Operës dhe Baletit. Në Maqedoninë e Veriut asnjë parti shqiptare nuk e di se kur do të ndërtohet Teatri dhe Biblioteka Kombëtare në Tetovë, iniciativë kjo e të ndjerit Arbën Xhaferi, jo se e pati si synim kulturor në parti, por më tepër si kushtëzim politik karshi kryeministrit Nikolla Gruevski që po planifikonte të ndërtojë Teatrin e Vjetër, Muzeun e VRMO-së si dhe Filarmoninë Maqedonase.
Asnjë pati shqiptare nuk ka vizon për të ardhmen e kulturës kombëtare! Kjo, sepse atyre u mungon kultura, jo si veprim, por si politikë! /HEJZA/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You May Also Like

Intelektualët dhe modeli kulturor

Midis nesh A kanë ditur të gjithë pushtetet dhe subjektet politike shqiptare…

Vlerat e mirëfillta, pararojë e të gjitha anomalive

Bashkimit kulturor, mision i (pa)mundshëm Enkas për HEJZËN, Remzi SALIHU Para së…

Festivalet “tona” pa kurrfarë mesazhi kombëtar

Midis nesh Disa gra artiste e krijuese nga Mitrovica qenkan bashkuar rreth…