Ana tjetër e medaljes

Ministria e Kulturës në RMV shpalli konkursin për Programin vjetor! Për herë të parë aplikimi do të bëhet përmes E-Shërbimit! Në emër të “luftimit të korrupsionit” si dhe të dallavereve që ishin me bollëk në këtë Ministri, e njëjta paska vendosur që, nga sivjet, të shkëpusë çdo kontakt me subjektet juridike e fizike dhe, t’i marrë parasysh vetëm ato aplikime që janë bërë përmes shërbimit elektronik! A është kjo një përpjekje megalomane e administratës së kësaj ministrie për t’u ndarë me artistë e krijues përmes një “muri administrativ” të patejkalueshëm!
Pa dyshim, po elektronizohet mbarë bota dhe, pse jo edhe Ministria e Kulturës! Por ama, në botën e civilizuar përparimet dhe detyrimet e qytetarëve që të adaptohen me këto përparime përcillen me lloj-lloj kursesh e shpjegimesh. Askund në botë nuk bëhet prerja: prej sot kështu dhe pikë!
Ç’të keqe ka që Ministria e Kulturës të vlojë nga artistë e krijues, nga subjekte të interesuar për ta zhvilluar dhe avancuar kulturën e popujve që jetojnë në RMV! Kjo ministri a është e njerëzve të kulturës apo e administratës së Ministrisë së Kulturës? Pa dyshim është “kështjellë” e kulturë-bërësve, ndaj dhe nuk është e qartë se pse dëbohen këta kulturë-bërës për interes të rehatisë dhe poltronizimit të administratës!
Subjektet shqiptare me relevancë në RMV duhet urgjentisht të reagojnë dhe që në start ta stopojnë këtë lojë të pandershme që luhet ekskluzivisht mbi kurriz të shqiptarëve, të cilët nuk është se qëndrojnë mirë me “manovrime” në kompjuter! Ky problem tërësisht është teknik, kurse problemi etnik është përkufizimi: “Ministria e Kulturës… për vitin 2023 do të mbështesë projekte që janë në funksion të zhvillimit, promovimit dhe afirmimit të kulturës së Republikës së Maqedonisë së Veriut!
Kush është ajo kulturë e Republikës së Maqedonisë së Veriut?! Cila kulturë e RMV-së prezantohet nëpër botë? Kultura maqedonase!
Vetëm “shteti komb”mund t’ia lejojë vetes përkufizimin “Kultura e RMV-së”! “Kultura maqedonase”! “Kultura franceze”! “Kultura angleze”! “Kultura turke”… Në Maqedoninë e Veriut jetojnë në numër shumë i konsiderueshëm edhe shqiptarët, të cilët zhvillojnë dhe financojnë promovim dhe afirmim të kulturës shqiptare në RMV! Pra, në Republikën e Maqedonisë së Veriut promovohen dhe afirmohen kulturat e popujve që jetojnë në këtë shtet!
A do të thotë se “Vallja e Drenicës” nuk do të financohet si e përfshirë në një repertor koncerti, meqë kjo valle nuk afirmon kulturën e RMV-së? A do të thotë se një studim i autorit shqiptar nga RMV-ja mbi Kadarenë apo Podrimjen, nuk do të financohet sepse nuk shpreh vlera “të kulturës maqedonase”, sepse autorët e studiuar nuk janë vlera të “kulturës së RMV-së”! Po muzika klasike që nuk ka të bëjë asgjë me “kulturën e RMV-së”! Apo, mjafton që ekzekutorët, studiuesit, ansamblet të jenë të RMV-së! Nëse është e mjaftueshme kjo, sërish kemi të bëjmë me diskriminim, sepse ekzekutuesit e studiuesit i përkasin një etnie që jetojnë në RMV dhe që mundohen të zhvillojnë diversitetin kulturor aq të preferuar dhe të kërkuar nga BE! Popujt e një shteti obligohen që ta zhvillojnë diversitetin kulturor, kurse vetë shteti (RMV-ja) edhe mundet të jetë aparat për ushtrimin e “monopolit kulturor” të shumicës maqedonase!
Një tjetër kriter që duhet të analizohet është edhe kriteri: “ata që konkurrojnë duhet të jenë shtetas të RMV-së”! Ngelë të përcillet edhe ky kriter dhe të shihet nëse në dokumentet e nevojshëm për konkurrim do ta kërkojnë edhe certifikatën e nënshtetësisë! Pra, ata krijues e artistë që kanë probleme me këtë certifikatë, edhe pse të vetëpunësuar, me numër amë dhe me numër xhirollogarie të bankave në RMV, nuk e kanë të drejtën e konkurrimit! Atyre mund t’u merren taksat e ndryshme, por ata nuk mund të përfshihen në kulturë!
Komisionet gjegjëse të institucioneve evropiane duhet urgjentisht të ndërhyjnë, ta vënë si kriter të rëndësishëm thjeshtëzimin e konkurrimit dhe të kërkojnë me ngulm që të anulohet kjo formë konkurrimi derisa MK-ja të mbajë disa seminare me të gjitha palët e interesuara që të konkurrojnë për Programin vjetor. Forma që është zgjedhur tani është vetëm një “program vjetor” e Ministrisë për Kulturë për diskriminim, për t’u tallur e për ta nëpërkëmbur dinjitetin e faktorëve që mundohen ta kulturojnë këtë shtet! Për teke të administratorëve partiakë, të cilët nuk duan të përballen me artistë e krijues jopartiakë, është krim i llojit të vet që t’i vështirësohet rruga deri te “keku kulturor” ku secili me arsye pretendon copën e vet! /HEJZA/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You May Also Like

Përkthyesit profesionistë të trajtohen si ambasadorë

Midis nesh Përkthimi i krijimtarisë letrare, qoftë në gjuhën amë qoftë në…

POEZIA ËSHTË NJË E TASHME E PËRJETSHME

Me Lulëzim Beshaj, poet Lulëzim Beshaj, u lind në fshatin Gorishovë të…

“Organizmi letrar” me nevoja të veçanta

Midis nesh Letërsia shqiptare është një materie e brumosur gjithandej ku flitet…

Qëndrimi i politikave tona ndaj kulturës

Midis nesh Subjektet tona politike, sidomos ato që janë bartëse apo pjesë…

LIBRI DHE BARBARIA DOGANORE

Midis nesh Pesëdhjetë udhëtarë në një autobus do ta kalonin kufirin pa…