1
1
Nga Avni Halimi
Është thënë shumë here se një shtet nuk mbrohet vetëm me ushtri, polici, diplomaci apo ekonomi. Ai mbrohet edhe me kujtesë. Mbrohet me kulturë. Mbrohet me aftësinë për të ruajtur figurat e tij kombëtare, ngjarjet që kanë përcaktuar fatin e tij dhe të vërtetat historike mbi të cilat ndërtohet identiteti i një populli. Ky është kufiri i padukshëm i çdo shteti serioz. Dhe pikërisht këtë kufi ne ende nuk kemi mësuar ta mbrojmë.
Në doktrinën tonë shtetërore flitet për siguri territoriale, politike, ekonomike e ushtarake. Por askush nuk flet për sigurinë kulturore. Për atë mekanizëm institucional që mbron kapitalin simbolik të kombit: figurat e mëdha, kujtesën historike, arkivat, narrativën kombëtare dhe dinjitetin kulturor të shtetit. Sepse një komb nuk jeton vetëm mbi tokën e tij. Ai jeton edhe mbi kujtesën e tij.
Veprat, arkivat, korrespondenca, kujtesa dhe integriteti moral i figurave kombëtare mbrohen nga institucione publike, akademi, fondacione e qendra studimore. Jo për t’ua kufizuar askujt lirinë e fjalës, por për të mos lejuar banalizimin e kapitalit simbolik të kombit.
Pak kohë më parë u botua vepra dyvëllimëshe “Tragjedia Çame”, e studiuesve Qerim Lita dhe Shkëlzen Halimi. Një punë e mundimshme kërkimore, e mbështetur mbi dokumente, dëshmi dhe burime historike, që synon të shpëtojë nga harresa një prej tragjedive më të mëdha që ka përjetuar kombi shqiptar. Një vepër e tillë, në çdo shtet që respekton kujtesën e vet, do të ishte ngjarje kombëtare. Do të mblidhte akademitë, universitetet, ministritë, institucionet e kulturës, diplomacinë, mediat dhe personalitetet kryesore të jetës publike. Do të shërbente si pikënisje për një strategji afatgjatë të dokumentimit dhe ndërkombëtarizimit të çështjes çame.
Por çfarë ndodhi tek ne? Libri u promovua. Por sikur të ishte një veprim që duhej kryer fshehurazi. Pa jehonën që meritonte. Pa mobilizimin institucional që kërkonte pesha e tij. Pa praninë e atyre që ndërtojnë strategjitë afatgjata të shtetit dhe të kombit. Sikur të kishim turp nga historia jonë. Sikur kujtesa të ishte faj. Dhe këtu lind paradoksi ynë më i madh. Ne heshtim. Ndërsa të tjerët nuk heshtin.
Ndërkohë që promovimi i kësaj vepre kaloi pothuajse pa zë në hapësirën tonë publike, mediat greke reaguan menjëherë. E kritikuan botimin, e sulmuan, e kundërshtuan dhe alarmuan opinionin e tyre publik për këtë përpjekje shqiptare për ta dokumentuar dhe ndriçuar Tragjedinë Çame. Ky reagim duhet të na bëjë të mendojmë. Ata nuk reagojnë sepse kanë frikë nga një libër.
Ata reagojnë sepse e dinë se historia nuk është vetëm e shkuara. Historia është edhe politikë. Është edhe diplomaci. Është edhe identitet. Është edhe interes shtetëror. Ata e kuptojnë se çdo dokument i ri, çdo studim serioz dhe çdo fakt i argumentuar mund të ndikojë nesër në mënyrën se si bota do ta lexojë atë tragjedi. Prandaj ata nuk heshtin. Pse heshtim ne? Pse vazhdojmë ta trajtojmë Tragjedinë Çame sikur të ishte një temë për të cilën duhet të kërkojmë ndjesë? Deri kur shqiptarët do të mbeten fajtorë për krimet që kanë pësuar vetë? Ky është absurditeti më i madh moral që mund t’i ndodhë një kombi. Kujtesa nuk është provokim. Dokumentimi nuk është armiqësi. Kërkimi shkencor nuk është nacionalizëm. Ndriçimi i një tragjedie nuk është akt kundër një populli. Është detyrim ndaj viktimave. Është detyrim ndaj së vërtetës. Është detyrim ndaj historisë.
Popujt e qytetëruar nuk i fshehin plagët e tyre. I dokumentojnë. I studiojnë. I bëjnë pjesë të kujtesës kombëtare. I ndërkombëtarizojnë me argumente, me dokumente dhe me dinjitet. Sepse e dinë se një tragjedi e harruar është një tragjedi që rrezikon të përsëritet. Prandaj, ndoshta ka ardhur koha që edhe ne ta kuptojmë se siguria kulturore nuk është luks akademik. Është interes kombëtar.
Një shtet që nuk mbron kujtesën e vet historike, ua dorëzon të tjerëve të drejtën për t’ia shkruar historinë. Një shtet që nuk mbron narrativën e vet kombëtare, humbet betejën pa hyrë ende në të.
Një popull që nuk e mbron narrativën e vet historike, herët a vonë detyrohet të jetojë brenda narrativës së dikujt tjetër. Dhe historia e shkruar nga të tjerët rrallëherë është e drejtë me viktimën. Ajo fillon duke relativizuar krimin. Pastaj relativizon vuajtjen. Më pas shpërndan përgjegjësitë, derisa, në fund, agresori dhe viktima vendosen pothuajse në të njëjtën peshore morale. Pikërisht aty fillon humbja më e madhe e një kombi: jo kur i pushtohet territori, por kur i tjetërsohet kujtesa.