Kjo është prova e parë pasi Macron humbi shumicën absolute në parlament
Kryeministrja franceze Elisabeth Borne i mbijetoi një mocioni mosbesimi të paraqitur kundër saj nga një aleancë e gjerë kundërshtarësh të krahut të majtë.
146 ligjvënës votuan në mbështetje të mocionit, i cili kërkonte një shumicë absolute prej 289 votash për të rrëzuar qeverinë.
Rezultati ishte i parashikuar nga koalicioni Nupes, grupimi më i madh kundërshtar i Emmanuel Macron, të cilit në fakt iu shkëputën 5 vota që u interpretua si shenjë pozitive nga Borne dhe qeveria e saj.
“Francezëve u duhet që qeveria e tyre të veprojë, ndërsa disa kanë vetëm një obsesion: ta rrëzojnë atë”, tha kryeministrja para parlamentit pak para votimit. Ajo u bëri thirrje ligjvënësve për kompromis, në mënyrë që të jetë më e lehtë përballja me sfidat e ardhshme.
Borne u emërua në postin e kryeministres në Maj nga presidenti Emmanuel Macron, vetëm një muaj para mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare, në të cilat ai humbi shumicën e tij absolute në parlament.