Dije Demiri Frangu për kritikën letrare

(Enkas për Hejza-n)
Arti është klanizuar. Klanet u shërbejnë autorëve që i kanë brenda, ata i promovojnë, i popullarizojnë, dhe rrallë fare mund të funksionohet jashtë këtyre klaneve që shpesh, fatkeqësisht, janë edhe klane politike e në një masë tashmë, edhe fetare. Sot, saktësisht dihet kush shkruan për kë. Askush s’ ka pasur imagjinatë ta mendoj këtë rënie, askush se ka pasur idenë se kjo do të na vjen me lirinë.
Është e vërtetë se letërsia në Kosovë në dy dekadat e fundit, ka shënuar një fryrje të madhe, që duket si një stomak i rritur nga ushqimi jo bio. Po të punonte kritika brenda detyrës së saj, s’besoj se do bëheshin këso lloj stogjesh, ky hiperproduksioni letrar, të shpeshtën botuar pa recensent, pa redaktor e pa lektor. Dikur, botimet e “Rilindjes”, të cilat dilnin nga një projekt botimesh që kompletohej në çdo fundvit për vitin që pasonte, përcilleshin nga një kritikë (kishte numër të kritikëve të angazhuar në redaksinë e kulturës së “Rilindjes”, dhe revistave tjera kulturore aktuale të kohës). Kjo kritikë të shpeshtën ishte objektive dhe profesionale, dhe si e tillë krijoi një sistem vlerash. Ishte një vëmendje për botimet e reja dhe shumë stimuluese për krijuesit, sidomos për ata të rinj. Kjo kritikë për lexuesin ishte një letërnjoftim mbi librin dhe një sugjerim për lexim. Nuk mund t ‘mos i kujtoj vështrimet kritike mbi veprat e mija nga Xhemajl Mustafa, Abdullah Konushevci, Ramadan Musliu, Agim Deva e ndonjë tjetër, të cilat i lexoja nga disa herë, dhe provoja t’i gjeja thëniet e tyre – që lidheshin me brendinë e poezive. Kritika serioze e sotme mblidhet brenda botimeve të veçanta në formë librash, më shumë për autorët tanë klasik ose për fenomene letrare, por mungon kritika që do t’u shkonte pas botimeve të reja, që të shihen trendet, dhe duke qenë kështu, barazohet libri amator, me një vepër që mund të ketë vlera të mira letrare. Edhe mungesa e botimeve të revistave –fizike, ka humbur gjurmët kush ku boton, çka boton si dhe kush për kë shkruan.
Fjala latine criticus prej nga vjen fjala kritikë –ka të bëjë pikërisht me vlerësimin kritik të një vepre arti, vlerësim i cili është rezultat i një procesi-leximit, krahasimit, studimit e tjerë. Duke qenë i tillë, kërkon një përgatitje të mirë teorike, historike si dhe qasje kritike ndaj objektit të shkrimit. Kritika sot nuk paguhet – pos autori që mund ta paguajë ose interesave klanore, ndaj nuk shkruhet.
Kritika duke qenë se është krijesë subjektive, nuk e shqetëson shumë krijuesin me përvojë, por gjithsesi prezenca e saj do të ndihmonte letërsinë, do të bënte në një masë diferencimin e vlerave, një lloj seleksionimi dhe mbase do të dihej pak më shumë për letërsinë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You May Also Like

Politikat kulturore të shtetit dhe të institucioneve nacionale

Midis nesh Me politikat kulturore nënkuptojmë orientimin nacional, përcaktimin strategjik, angazhimin e…

“Zgjoi”duhet të na zgjojë të gjithëve

Midis nesh Një sukses historik për kinematografinë kosovare! Akademia e Arteve dhe…

Të gjithë shqiptarët janë poetë

Midis nesh Poezia është krijim letrare i cili vjen si produkt i…

Të respektosh gjuhën shqipe është kulturë

Midis nesh Në fillim të muajit maj të këtij viti, në Universitetin…

Midis nesh / KUR INJORANTËVE U PËLQEN VETJA!

Keqpërdorimi i demokracisë, duke e shndërruar atë në një anarki të çuditshme,…