Midis nesh

Një prej punëve më kombëtare që ka ndodhur për këto dy e ca dekada në Maqedoninë e Veriut është presioni politik dhe ndërgjegjësimi i “shumicës” për një “diversitet administrativ” për nga kuptimi etnik. Falë kësaj këmbënguljeje shqiptare, sot administrata shtetërore përbëhet edhe nga një numër respektiv i shqiptarëve. Nëse Maqedonia e Veriut agoi në demokraci me një përqindje nën zero të përfshirjes së shqiptarëve në administratën shtetërore dhe në atë publike, sot kjo përqindje arrin diku prej 15-20 për qind, varësisht nga “fortifikimi politiko-etnik” i dikastereve qeveritare. Ka dikastere ku përfshirja e shqiptarëve në administratën përkatëse akoma llogaritet “tradhti kombëtare”!
Megjithatë, situata në administratën publikë edhe më tej lë për të dëshiruar. Janë shumë institucione nacionale, drejtori, agjenci, në të cilat punësimet e shqiptarëve llogariten si kapitullim nacional! Mbi të gjitha ky hermetizim politik maqedonas vërehet sidomos nëpër institucionet nacionale kulturore ku përfaqësimi adekuat i shqiptarëve perceptohet si diçka e kotë dhe e panevojshme! Fatkeqësisht, këtij perceptimi antishqiptar po i nënshtrohen edhe funksionarët shqiptarë. Nuk është patriotizëm dhe, madje kurrfarë zgjidhje kombëtare punësimi me kontratë në vepër i 400-500 shqiptarëve të ngratë në Higjienën Komunale! Nuk është kurrfarë rezultati i “platformës kombëtare” punësimi me kontratë në vepër i 200-300 punëtorëve në Ujësjellës-Kanalizim apo në Parqe dhe Gjelbërime! Nuk është kurrfarë e arritur kombëtare nëse në Ministrinë e Kulturës merren poste të larta dhe aty ulen turli-farë dudukësh të cilët nuk kanë lidhje me kulturën. Cila është iniciativa, puna dhe rezultati konkret, për shembull, i zëvendësministrit apo i sekretarit shtetëror (që të dy shqiptarë) në këtë Ministri? Kapja e 25 për qindëshit nga buxheti i kësaj Ministrie nuk është meritë e as njërit dhe as tjetrit, porse është rrjedhojë tashmë e një tradite të arritur nga një marrëveshje politike e ngritur në LIGJ!
Këto vendime tashmë të betonizuara nuk mund të përvetësohen e të personalizohen nga asnjë funksionar! A është ndërmarrë, për shembull, ndonjë iniciativë për reagim dhe mospajtim përmes konferencave publike për të shprehur pakënaqësinë kombëtare lidhur me vendimet, qëndrimet dhe politikat retrogarde të atyre prej të cilëve varen! Po, kemi pasur konstatime të tipit, “na e bëri me hile”, “na premtoi, por nuk e mbajti fjalën”, “u morëm vesh, por në fund na e luajti komisioni” etj.! Ku është këtu pesha e vendimeve dhe qëndrimeve të funksionarëve shqiptarë? A e njohin këta kategorizimin e vendimeve apo thjesht vendosin për ç’vendosje!
A kanë raport dhe pasqyrë të përfaqësimit adekuat të shqiptarëve nëpër institucionet nacionale kulturore? Pse edhe pas 30 viteve çlirim nga praktika e “administratës etnike” Biblioteka Kombëtare dhe Universitare “Shën Klimenti i Ohrit” edhe më tej është me përfaqësim nën-minimal! Aty së fundmi ishte edhe një drejtor shqiptar! Ai, sa drejtoi këtë institucion u sabotua të paktën nja tri her në iniciativat e tij për punësimin e ndonjë shqiptari! Për këtë problem kurrë nuk patëm reagim as nga drejtori, por as nga funksionarët shqiptarë në Ministrinë e Kulturës! Pati disa përgjigje negative (kryesisht për mosrespektim të afatit!) nga ana e Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratës! Së fundmi nga Biblioteka është shtruar një kërkesë formale deri në Ministri të Kulturës për punësim të dy shqiptarëve, kërkesa është përcjellë në Ministrinë e Shoqërisë Informatike, e cila më tej e ka përcjellë deri në Ministri të Financave, prej nga përgjigja ka ardhur pozitivisht! Vendet e punës janë plotësuar nga dy maqedonas, të cilët, njëri është prezantuar si shqiptarë e tjetri si rom! Pse, a nuk e dinë këtë vendim antishqiptar funksionarët shqiptarë të Ministrisë për Kulturë! Fare në fund, në kërkesën për punësimin e nja 4-5 shqiptarëve, sa për ta rritur minimalisht përqindjen e shqiptarëve në këtë Institucion Nacional, Ministri i Financave është përgjigjur negativisht, me arsyetim se nuk ka buxhet! Po si po krijohen buxhetet kur kjo Minnistri po gjendet para presioneve të sindikatave, para protestave e grevave! Po nëse i dalin në protestë frekuentuesit e këtij Institucioni që në shumicë absolute janë shqiptarë, pa dyshim që kjo Ministri do të gjunjëzohet! Në zemrën e Shkupit shqiptar, me tri universitete në gjuhën shqipe, me shpërndarjen e administratorëve që mbi dhjetë vite “mrizuan” nëpër shtëpitë e tyre, në këtë Bibliotekë përqindja e shqiptarëve të punësuar (nga rreth 150 të punësuarve) nuk shkon më shumë se 3-4 për qind! Së këndejmi, kush prej shqiptarëve, kush nga funksionarët shqiptarë të Ministrisë së Kulturës dhe ata që drejtuan me këtë Bibliotekë, di gjë të na thotë mbi fondin e librit shqip, mbi gjendjen dhe përkujdesjen ndaj këtij fondi? Asnjëri! Sepse për “funksionarët” tanë mjafton kolltuku, fjala e fundit e telefonave, makina dhe sekretaresha! Për këtë lloj funksionarësh – vërtetë çka është kultura?! /HEJZA/

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You May Also Like

POLITIKAT KULTURORE NË RAPORT ME LETËRSINË SHQIPTARE!

Midis nesh Politikat kulturore shqiptare, para se të jenë globaliste, është mirë…

KOHA, FILTRUESI MË I MIRË I VLERËS

HEJZA me Ervina Halilin, shkrimtare dhe studiuese Ervina Halili shkrimtare dhe studiuese…

MEDIOKRITETI NË KRIJIMTARINË LETRARE

REXHEP QOSJA / “… Numri i mediokriteteve në letërsitë e vogla kombëtare…

U bëmë gaz i botës!

Pas përfundimit të Festivalit të 60-të të RTSH-së, shpërthyen kritikët formalistë dhe,…