Një ligj i miratuar në Shqipëri i ka mundësuar kompanisë A.N.K Sh.P.K., e afërt me Partinë Socialiste në pushtet, një kontratë jashtëzakonisht të çmuar për ndërtimin e një rruge 17.2 kilometra. Kostot e ndërtimit pritet të jenë gati 300 milionë euro, mbi dyfishin e shumës që Qeveria kishte parashikuar. Në Turqi, një ligj riklasifikoi një zonë të mbrojtur në mënyrë që aeroporti i ri i Stambollit të mund të ndërtohej mbi të. Gjashtë persona në Maqedoninë e Veriut u akuzuan për pastrimin e rreth 4.5 milionë eurove për të financuar partinë politike VMRO-DPMNE. Midis tyre është ish-kryeministri Nikola Gruevski, i cili është gjithashtu i implikuar në disa skandale të tjera korrupsioni.

Sipas organizatës Transparency International, këto janë shembuj të “kapjes së shtetit”. Pra, kur individë dhe grupe të fuqishme përdorin korrupsionin për të formësuar politikat, ligjet dhe ekonominë e një vendi. Në mënyrë që më pas të përfitojnë për interesat e tyre private.

“Kjo i lejon të korruptuarit të ruajnë pushtetin e tyre, të pasurohen nga shteti dhe të shmangin dënimin”, thotë organizata.

“Qytetarët e zakonshëm paguajnë për këtë, përmes humbjes së kushteve të jetesës, shërbimeve të dobëta publike, mundësive të kufizuara dhe duke humbur besimin te demokracia, pasi shohin që institucionet qeveritare u shërbejnë interesave private”, thuhet në raportin “Ekzaminimi i kapjes së shtetit”, të organizatës Transparency International (TI).

Kjo, sipas TI, po ndodh në të gjitha nivelet e qeverisjes – nga autoritetet lokale te ekzekutivi – në Kosovë, Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut, Serbi dhe Turqi.

T mobile In article [4]

Në përkufizimin që i bën organizata termit “Kapje e shtetit” thuhet: Kapja e shtetit nënkupton përpjekjen e aktorëve privatë dhe publikë – me interesa private – për të ridrejtuar vendimet për politikat publike duke shmangur interesin publik, duke përdorur mjete korruptive dhe grumbullim rreth organeve dhe funksioneve të caktuara shtetërore.

“Kapja e shtetit” në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi po mundëson pasurimin e politikanëve dhe strukturat e lidhura me ata, duke krijuar kosto të rëndë për qytetarët e zakonshëm, thuhet në raport.

Kjo situatë, sipas TI po rrënon besimin e publikut ndaj qeverisë, pasi ato gjithnjë e më shumë po përdoren për t’i shërbyer interesave private.

Ky raport i TI-së shqyrton dy faktorë kryesorë që mundësojnë “kapjen e shtetit” në Ballkani Perëndimor dhe Turqi: ndikimi në gjyqësor dhe përpilimin e ligjeve në bazë të interesave private.

Sipas organizatës këto dy elemente janë rezultat i politikës së bazuar në klientelizëm dhe patronazh. Përmes analizës së rasteve të nivelit të lartë të korrupsionit, raporti ilustron se si patronazhi dhe klientelizmi veprojnë si në nivel qendror, ashtu edhe në nivelet lokale duke abuzuar me detyrën publike.

“Rastet demonstrojnë se fuqia e partive politike dhe besnikëria që ata komandojnë janë përbërësit kryesorë në suksesin e rrjeteve të tilla. Ndjekja penale e këtyre çështjeve përcaktohet nga ndikimi politik i partive në pushtet mbi gjyqësorin”, thuhet në raport.

“Ndikimi i tyre shpesh rezulton në gjyqtarë dhe prokurorët të njëanshëm, hetime të dobëta, vonesa të gjata dhe lirime ose dënime më të lehta për të pandehurit”, thekson raporti.

Ligjet e bëra sipas interesave, sipas organizatës, janë ligje të krijuara për t’i shërbyer vetëm interesat e individëve të veçantë, grupeve ose kompanive, shpesh me koston e të tjerëve, duke përfshirë edhe kompaninë publike.

“Raporti identifikon tre lloje të ligjeve të formuara në bazë të interesave: ligjet për të kontrolluar pjesë e një sektori apo industrie, ligjet për të zvogëluar kapaciteti i institucioneve për të ushtruar kontrolle dhe ekuilibra, dhe ligjet për të siguruar që pozitat publike dhe ato të drejtësisë të mbahen nga njerëz të cilët mundësojnë korrupsionin.

Organizata thotë se pas konflikteve në vendet e ish-Jugosllavisë kontrolli i politikave, ekonomisë dhe institucioneve shoqërore është formësuar kryesisht nga baza etnike dhe marrëdhënie klienteliste.

“Në disa raste, elitat politike zhvilluan rrjetet e tyre në formë të partive politike, duke iu mundësuar të qëndrojnë në pushtet. ‘Klientelizmin politik’ u bë përmes shkëmbimit të të mirave materiale ose përfitimeve në këmbim të mbështetjes politike”, thuhet në raport.

Anëtarët e këtyre rrjeteve, thotë raporti, janë përgjithësisht njerëz që aspirojnë pozicione të pushtetit ose kërkojnë ngritje në detyrë, dhe anëtarësimi në një parti politike është mënyra më e sigurtë dhe më e shpejtë për të arritur këto synime.

“Patronët, nga pozicionet e tyre të pushtetit, sigurojnë mallra dhe dhurojnë favore, punë, koncesione dhe kontrata klientëve të tyre në këmbim të mbështetjes politike. Këto angazhime informale shpesh mbizotërojnë vendimmarrjen demokratike”, thuhet në raport.

“Pasi sistemi të vendoset, përparësia e këtyre strukturave pastaj është ruajtja e status quo-s në politikë për të mos humbur privilegjet e fituara”, thuhet në raport.

Në këtë pjesë raporti merr shembull Shqipërinë dhe Turqinë dhe Serbinë.

Në Shqipëri pengesë e zbatimit të ligjit sipas organizatës kanë qenë lidhjet klanore dhe ndikimin që vazhdojnë të kenë në politikën shiptare. Turqia paraqet gjithashtu elemente të kapjes së shtetit, që sipas IT, shprehen në kompetencat e zgjeruara të presidentit Rexhep Tajip Erdogan dhe partisë së tij në pushtet.

“Në Serbi, për shembull, presidenti Aleksandar Vuçiq, bashkërisht me kryeministren dhe kreun e parlamentit, shpallën gjendjen e jashtëzakonshme duke përdorur një dispozitë kushtetuese që ua mundësoi atyre për ta bërë këtë “nëse parlamenti nuk mund të mblidhet”. Në realitet, nuk u bë asnjë përpjekje për t’u mbledhur parlamenti. Pastaj, gjatë gjendjes së jashtëzakonshme, qeveria e Serbisë i shpalli si sekrete të gjitha prokurimet që synojnë t’i përgjigjen COVID-19”, thuhet në raport.

Korrupsioni në nivel të lartë
Në pjesën ku shqyrton rastet e korrupsioni të nivelit të lartë dhe ndërlidhjes me “kapjen e shtetit”, organizata përmend punësimet e paligjshme, përmes rastit “Pronto” në Kosovë.

“Thirrjet telefonike të publikuara nga media Insajderi zbuluan në vitin 2011 se punësimi i njerëzve të afër me Partinë Demokratike (PDK) në qeveri thuhet se ishin ndikuar nga Adem Grabovci, udhëheqësi i partisë dhe njëmbëdhjetë të tjerë. Kjo u bë duke skualifikuar kandidatët, duke zëvendësuar anëtarët e komisioneve të përzgjedhjes, dhe anulimin thirrje të hapura kur anëtarët e PDK-së nuk morën mjaftueshëm pikët në procesin zyrtar të rekrutimit”, thotë organizata.

Raporti thotë se së bashku me korrupsionin, krimi i organizuar është një problem tjetër i vazhdueshëm në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi. Të dy elementët punojnë së bashku kur grupet e organizuara kriminale kërkojnë bashkëpunimin e autoriteteve për të arritur objektivat e tyre.

“Legjitimimi i kapjes së shtetit”
Transparency International vlerëson se ligjet e bëra sipas interesave, vulosin dhe legjitimojnë “privatizimin” e institucioneve dhe burimeve publike. Ligje të tilla jo vetëm që dekriminalizojnë “kapjen e shtetit”, por pasi të legalizohen, e bëjnë më të vështirë luftën kundër, pasi përpjekja në këtë drejtim, do të perceptohet si mosbindje ndaj ligjit.

Numri më i vogël i ligjeve të bëra sipas interesave, organizata zbuloi se janë bërë në Kosovë dhe Mali të Zi. Në Kosovë, përpjekjet për ligjet e bëra sipas interesave u zhvilluan në një nivel më të ulët të legjislacioni, kryesisht përmes udhëzimeve administrative.

Ligjet për njerëzit besnikë
TI shpjegon se një nga mënyrat më efektive për të kontrolluar publikun është të kesh njerëz besnikë në pozicione të përgjegjësisë. Kjo nënkupton nevojën për të kontrolluar se kush mund të emërohet dhe si t’i shkarkojë ata të cilët mund të rrezikojnë përdorimin e zyrave publike për të përfitim privat. “Shembuj të ligjeve të personalizuara për këtë qëllim, u gjetën në Kosovë, Bosnjë dhe Hercegovinë, dhe Turqi”, thotë organizata.

Ligji për Noterinë në Kosovë, sipas raportit, pësoi dy ndryshime të diskutueshme që përfshinin një rritje në numrit të noterëve dhe një dobësim i kritereve të pranueshmërisë.

Gjyqësori i pavarur -jetik për çkapjen e shtetit
Organizata thotë se “një gjyqësor i pavarur është jetik për ndalimin e korrupsionit, dhe nga ana tjetër, kapjen e shtetit”.

“Fatkeqësisht, në shtatë vendet e paraqitura në raport, shumë prej atyre që mbajnë pushtetin po ndikojnë në pavarësinë dhe paanësinë e procesit të drejtësisë për të siguruar mosndëshkimin për korrupsionin e nivelit të lartë”, thuhet në raport.

Bazuar në këto gjetje, TI thotë se duhet të adresohen disa rekomandime kryesore për të gjithë aktorët e interesuar – nga vendimmarrësit e BE-së e deri te zyrtarët vendorë dhe qytetarët.

Organizata rekomandon që të ndërmerren vendime politike, të cilat parashohin sesi pushteti dhe interesat e veçanta përcaktojnë – dhe mund të minojnë – zbatimin e reformave.

Pastaj të identifikohen dhe fuqizohen zyrtarët publikë dhe anëtarët e partive politike të cilët veprojnë me integritet dhe kanë synim ndryshimin. Sipas TI-së duhet të përdoren fuqitë e normave shoqërore për të promovuar kundërshtimin ndaj mosndëshkimit të korrupsionit duke mbështetur shoqërinë civile dhe fushatat e ndërgjegjësimit.

“Promovoni dhe fuqizoni një kulturë qytetare mbështetëse të politikës dhe demokracisë së bazuar në integritet duke krijuar hapësira për dialog midis palëve të ndryshme të interesit”, thotë, ndër të tjera, në rekomandimet e saj, organizata Transparency International./rel/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You May Also Like

“Mosparaqitja e Ahmetit dhe Grubit si dëshmitarë, vulosi dënimet e përjetshme për herë të dytë”

Gjykata e Apelit në Shkup sot ka konfirmuar vendimin e Gjykatës Themelore…

Bugajski: Nëse rishikohen territoret në Kosovë, shqiptarët e Maqedonisë mund të kërkojnë bashkim me Shqipërinë

Ndërsa pandemia e koronavirusit shqetëson Uashingtonin, administrata e Trump pa dashje po…

Kurti i publikon me emra e foto: Vrasja e Aganit u urdhërua nga këta dy persona

Faton Kurti, kryetar i Republikanëve të Kosovës, ka thënë se vrasja e…

Hallaçi: Kërkoj zbardhjen e rastit të Kumanovës

Ju bejë Apel te gjithë Shqiptarve mbarë kombëtarë për hirë se vertetës…

Avokatja e Grupit të Kumanovës: Qeveria e Albin Kurtit do t’i lirojë djemtë tanë!

Kërkesa për hetim ndërkombëtar të rastit të Lagjes së Trimave të Kumanovës…