Letër nga Shkupi

Ditë më parë në Pragë të Çekisë, për tre ditë me radhë, u mbajt manifestimi Ditët e kulturës maqedonase, me ç’rast u prezantua filmi, muzika dhe drama maqedonase. Kuptohet, të gjithë pjesëmarrësit ishin maqedonas, gjë që është e natyrshme, sepse këtë kulturë nuk mund ta prezantojnë shqiptarët.
Në fakt, shqiptarët nga Maqedonia e Veriut, do të mund të ishin pjesëmarrës vetëm nëse manifestimet e tilla do të emëroheshin si Ditët e kulturës së Maqedonisë së Veriut, gjë që, sidomos kur bëhet fjalë për kulturën, është diçka më shumë se utopike.
Megjithatë problemi nuk qëndron këtu, por në të vërtetën se atë që e krijojnë në planin e shpirtërores shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, vështirë gjen rrugën për t’u prezantuar jashtë. Edhe nëse ndodh kjo në mënyrë të rastësishme, heshtet me një elegancë “humane”, pavarësisht faktit se prapa këtyre rastësive qëndron emri i kësaj republike.
Pra pozicioni i prezantimit të kulturës shqiptare në Maqedoninë e Veriut jashtë saj, është tejet i rëndë, për të mos thënë se është pozicion në pikën zero, edhe nëse kjo kulturë, pra maqedonase, prezantohet në Shqipëri apo Kosovë.
Atëherë shtrohet pyetja: si të prezantohen vlerat e shqiptareve të këtushëm në botën e jashtme, kur i takojnë një kulture krejt tjetër, e cila nuk ka pothuaj asnjë pikë të përbashkët me atë maqedonase!
E keqja bëhet edhe më e plotë kur të duhet fakti se institucionet kulturore në Shqipëri e Kosovë, shpirtëroren e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut e trajtojnë vetëm margjinave të një politike absurde. Pra, problemin gjithnjë duhet kërkuar te raportet ndër-shqiptare, të cilat për hir të disa “projekteve” ballkanike që synojnë një ardhmëri në paqe shpirtërore, sakrifikojnë ta kaluarën tragjike (ndarjen e shqiptarëve), pasojat e së cilës ndjehen pikërisht tani, siç ndodh edhe me shembullin e izolimit të kulturës shqiptare në Maqedoninë e Veriut.
Është i pakuptueshëm inferioriteti i përfaqësuesve shqiptare në Ministrinë e Kulturës, të cilët, çuditërisht, asnjëherë nuk ditën ta lexojnë cinizmin e atyre që merren me politikat e kulturës maqedonase, të cilat politika, në të shumtën e rasteve, në raport me shqiptarët, janë me qasje injorimi.
Por, kësaj gjendje dhe këtij trajtimi (për pak lekë) i kontribuojnë edhe disa “artistë” shqiptarë, të cilat pranojnë t’i fusin hundët aty ku nuk e kanë vendin, duke u bërë të përdorshëm për nevojat e politikave injorante.
Çka do që të shkruajmë e të themi rreth këtij problemi, duket se është e kotë. Por, që pasqyra të jetë e qartë, po e përmbyllim me një fjali të ministres së kulturës maqedonase që ishte prezent në Pragë: “Me Republikën e Çekisë ndajmë një të kaluar të pasur sllave…”
/HEJZA/

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You May Also Like

POLITIKAT KULTURORE NË RAPORT ME LETËRSINË SHQIPTARE!

Midis nesh Politikat kulturore shqiptare, para se të jenë globaliste, është mirë…

NË SKENË JEMI OPOZITË E PËRHERSHME

Me Dritëro Amen, aktor Dritëro Ame u lind në Dibër. Hapat e…

Çka ndodhë kur pushteti e kruan me artistët

Letër nga Tirana Kohë më parë, me vendim të Qeverisë shqiptare, u…

Politikat hileqare mbi identitetin kulturor

Letër nga Shkupi Cili është legjislacioni i Maqedonisë së Veriut që menaxhon…

Flijimi si motiv i rimëkëmbjes

(Përkitazi me shfaqjen “VIZITA E ZONJËS PLAKË”, të autorit Fridrih Dyrrenmat, nën…