Midis nesh

Në Bibliotekën Popullore dhe Universitare “Shën Naumi i Ohrit” në Shkup, përveç funksionit Drejtor i Bibliotekës, funksionon edhe një “drejtor” tjetër, Drejtori i Programit! Drejtori i Bibliotekës merret me gjërat teknike, ndërsa “shpirti” i Institucionit nacional i është besuar Drejtorit të Programit! Edhe për gjërat teknike, Drejtori i Bibliotekës duhet të veprojë sipas vendimit të komisioneve apo të Bordit nacional të Bibliotekës. Këto ditë Drejtorit të Bibliotekës ia paskan ofruar një vendim që e paska miratuar Komisioni për punësim pranë Bibliotekës e që, në vend të shqiptarit etnik, do të pranohej në punë një maqedonas etnik i përcaktuar si shqiptar! Natyrisht, drejtori shqiptar ka refuzuar kategorikisht të pranojë një vendim të tillë krejtësisht të pabazë dhe antiligjor dhe konkursin e ka anuluar!
Asnjë nga mediat e vendit nuk i dha rëndësi emërtimit të drejtorit shqiptar në krye të Bibliotekës. Si zakonisht, mediat heshtin, sepse janë në thurje e sipër të intrigave me të cilat do ta nisin ndonjë fushatë kundër drejtorit shqiptar deri sa ta largojnë nga “çerdhja e krenarisë kombëtare maqedonase”! Tani, sigurisht “hienat” e Bibliotekës problemin e punësimit të një maqedonasi “me përkatësi etnike shqiptare” (sepse kështu ndjehet ai!!!) do ta ngrenë deri te Bordi nacional, i cili do të tentojë të shkaktojë probleme, duke u kërcënuar me fushatë mediale! Ja pra, pse drejtori i ri, për më tepër drejtori shqiptar, sapo të emërtohet në një institucion nacional në Maqedoninë e Veriut, menjëherë duhet ta shkarkojë bordin nacional paraprak dhe të formojë këshill të ri, i cili nuk do t’ia sabotojë punën përgjatë mandatit të vet!
A është kjo Bibliotekë media televizive, a është ndonjë OJQ kulturore, apo është ndonjë ansambël, institucione këto që patjetër duhet të kenë “drejtor programor”! Pse një funksion paralel të tillë nëse jo për ta hutuar drejtorin eventual shqiptar, të cilit duhet t’i lihen vetëm nënshkrimi i rrogave, i pushimeve vjetore, i pushimeve mjekësore!
Drejtori shqiptar, sidomos ky i tanishmi, i sapozgjedhuri, urgjentisht duhet të kërkojë formimin e Sektorit për Fondin e Librit Shqip si dhe Këndin e librave të këqij, të botuar në gjuhën maqedonase e që janë antishqiptare! Deri më sot, askush nuk di se cili është fondi i librit në gjuhën shqipe në këtë Bibliotekë, nuk dihet se cilat botime shqip janë më të vjetrat, nga cili vit daton dorëzimi i librave shqip në këtë Bibliotekë etj. Nuk dihet asgjë për shtypin e hershëm, siç nuk dihet asgjë as për tezat e doktoraturave! Pse të mos mendohet edhe për themelimin e një komisioni nacional shqiptar me kompetenca për t’u futur në Bibliotekë dhe për ta këqyrur fatin e letrave dhe të librit shqip nëpër “birucat maqedonase” të këtij Institucioni! Apo, paraprakisht ekziston një përshtypje e saktë se do të shpërthenin skandale të turpshme!
Nga ana tjetër, ekziston një fond i konsiderueshëm i librave dhe dorëshkrimeve si dhe i dokumenteve që trajtohen si “Dorëshkrime orientale” e që janë nën “mbikëqyrjen” e personave që nuk kanë lidhje as me orientalizëm, as me alfabetin arab, as me atë osman, që nuk kanë lidhje as me islamin!
Në dokumentin bazë ligjor të Bibliotekës thuhet: “Biblioteka nacionale dhe universitare “Shën Klimenti i Ohrit” e mbledh, e përpunon, e ruan dhe e mbron trashëgiminë kulturore maqedonase për gjeneratat e reja”! Po ato vlera që nuk janë maqedonase, për shembull libri shqip, si trashëgimi kulturore shqiptare, a ruhen dhe a mbrohen nga punëtorët dhe nëpunësit e kësaj Biblioteke?! Trashëgimia kulturore e popujve të ndryshëm, e kulturave të ndryshme që janë zhvilluar dhe që zhvillohen në nënqiellin e Maqedonisë së Veriut nuk mund të trajtohet si “maqedonase”! Dikush mund t’i trajtojë, por ama politikat zyrtare shtetërore duhet t’i përkufizojnë si “trajtime shoviniste” dhe, si të tilla, ose duhet të korrigjohen urgjentisht, ose të ndëshkohen me mbyllje të veprimtarisë! /HEJZA/

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You May Also Like

Teatri si art dhe si godinë

Midis nesh Teatri është lloj arti, i cili, nga një qendër (le…

Përshkrimi i udhëtimit të udhëpërshkruesit të njohur gjerman: Johann Georg von Hahn gjatë vitit 1858, nëpër trevat shqiptare të Leskocit

Serbët e shkruajnë se Hahn, kishte shprehur shumë interesim për ti vizituar…

LIBRI

Midis nesh “Të vësh një libër në duart e një injoranti, është…

Kujtesa kombëtare

Midis nesh Në çka bazohet kujtesa kombëtare? Natyrisht, mbi të gjitha, në…

Rreziku nga kuazi-intelektuali

Midis nesh Çdo shoqëri ka intelektualët e vet, siç i ka edhe…