MUNGESË ME PASOJA TË MËDHA
(Enkas për HAJZA-n)
Në këtë ndërkohë të hidhur, të ngatërruar në sferat politike dhe ekonomike, kulturës nuk i ka mbetur ndonjë vend i nderit, prandaj interesimi për të, sidomos në aspektin institucional, mund të thuhet se është nën nivelin e kohës së kaluar, prandaj në këtë drejtim edhe kritika për vlera letrare është aty ku është, thuaja krejtësisht e munguar.
Nga kjo mungesë edhe pasojat janë të mëdha në fushën e letërsisë. Mungon ai barometri i dohershëm në saje të të cilit bëhej një rangim; tregoheshin caqet e arritjeve në krijimtari; definoheshin vlerat dhe anti-vlerat, mbase edhe portretet cilësoheshin, që ishte një ndihmë e madhe për orientimin e lexuesit, por edhe të krijuesit.
Nuk do mend se pasojat janë të mëdha pikërisht pse, në mungesë të kritikës, nuk kemi definim të saktë se çfarë po krijohet dhe nuk drejtohet gishti kah pseudo-vlerat. Në një mënyrë faji i mbetet mjeteve të informimit. Mungesa e tyre (në Kosovë) ka abstenuar edhe informimin e thjeshtë për botimet, e lëre më kritikat e mirëfillta. Kjo gjendje i ka dhënë mundësi pseudo=vlerave dhe, po e quaj, shundit letrare. Për mungesë të kritikave nuk mund të thuhet se mungojnë botimet, por shtrohet pyetja: çfarë janë ato botime?