Sorting by

×

Popular Posts

Heshtje mbi kolltukun e uzurpuar

Heshtja nuk është gjithnjë mungesë fjale. Në të shumtën e rasteve është një qëndrim. Sidomos kur institucioni që hesht ka folur shumë herë, ka ditur të reagojë, ka ditur të dërgojë letra, ka ditur të dalë në publik dhe të mbajë qëndrim për çështje që i ka konsideruar të lidhura me fatin dhe dinjitetin e shqiptarëve.
Sot, 16 shtator, në Hagë shpallet aktgjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Gjykata Speciale ka bërë të ditur se vendimi shpallet publikisht, pas një procesi të gjatë gjyqësor për akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, akuza të cilat të katër të akuzuarit i kanë mohuar.
Në Kosovë, Bashkësia Islame nuk zgjodhi heshtjen. Një ditë para aktgjykimit, ajo vendosi që flamuri i UÇK-së të vendoset në të gjitha institucionet e saj, madje edhe në minaret e xhamive. Vendimi u paraqit si shenjë solidariteti dhe nderimi për luftën e UÇK-së dhe si shprehje shprese për pafajësinë e të akuzuarve.
Po këtu ku është BFI-ja e Maqedonisë së Veriut? Ku është institucioni që dikur nuk e kishte problem të fliste? Le të kthehemi pak në kohë.
Gjatë viteve 2007–2008, periudhë kur ish-komandanti i UÇK-së, Ramush Haradinaj, përballej me gjykimin në Tribunalin e Hagës (ICTY), Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë së Veriut mbajti një qëndrim të palëkundur mbështetës ndaj tij.
Në janar të vitit 2017, pas arrestimit të Ramush Haradinajt në Francë mbi bazën e një urdhërarresti të lëshuar nga Serbia, BFI-ja e atëhershme, nën drejtimin e Reisul Ulemasë Haxhi Sulejman ef. Rexhepi, reagoi publikisht. Madje, reagimi nuk mbeti vetëm në ndonjë kërkesë ceremoniale apo në ndonjë fjali të përgjithshme. BFI-ja iu drejtua Ambasadës së Francës në Shkup dhe kërkoi lirimin e Haradinajt. Në deklaratë, arrestimi u cilësua si provokim politik dhe Haradinaj si “vlerë e pakontestueshme kombëtare”.
Pra, dikur BFI-ja dinte të fliste. Sot? Heshtje absolute. As letër. As deklaratë. As mesazh. As flamur. As një fjali. Ndoshta BFI-ja ka zbuluar ndonjë version të ri të diplomacisë: sa më e madhe çështja, aq më e vogël fjala! Sa më e rëndësishme ngjarja, aq më e thellë heshtja.
Por pyetja bëhet edhe më e sikletshme kur shohim se si veprojnë institucionet islame shqiptare në Kosovë. Atje, minarja nuk është vetëm vend prej nga dëgjohet ezani. Në këtë rast, ajo është bërë edhe një shenjë publike e kujtesës. BIK-u vendosi që flamuri i UÇK-së të valojë edhe në minaret, në shenjë respekti e dashurie ndaj çlirimtarëve dhe pishtarëve të lirisë.
Ndërsa këtu, në Maqedoninë e Veriut, duket sikur edhe flamuri ka marrë leje për të heshtur.
Dhe, natyrisht, mund të thuhet se BFI-ja është institucion fetar, jo politik. Argument shumë i bukur. Vetëm se lind një problem i vogël: këtë argument duhet t’ia shpjegojnë edhe BIK-ut të Kosovës. Sepse BIK-u, me sa duket, nuk e ka kuptuar këtë rregull të ri të neutralitetit institucional. Nuk e ka kuptuar si Shaqir Fetai se flamuri i UÇK-së duhet të mbahet larg minareve, larg historisë, larg kujtesës dhe sidomos larg çdo gjëje që mund t’i kujtojë shqiptarëve se liria nuk ka ardhur nga qielli me postë të rekomanduar. Për më tepër – të mos provokohet Serbia!
Dhe këtu kujtesa na çon përsëri te Sulejman ef. Rexhepi. Pavarësisht të gjitha debateve që kanë shoqëruar periudhën e tij në krye të BFI-së, një gjë nuk mund t’i mohohet: ai dinte të fliste publikisht për çështje që i konsideronte kombëtare. Këtë e dëshmon edhe reagimi i vitit 2017 për Haradinajn.
Sot kemi një situatë tjetër. Kemi një BFI të Shaqir Fetait që, të paktën në hapësirën publike të kontrollueshme, nuk ka dhënë një qëndrim të ngjashëm në prag të aktgjykimit ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së. Dhe kjo nuk kërkon domosdoshmërisht përgjigje me teori të mëdha. Mjafton një pyetje shumë e vogël: Pse? Pse dje, në kohën e efendi Rexhepit, kishte zë, ndërsa sot ka heshtje? Pse atëherë një arrestim i një ish-komandanti të UÇK-së në Francë mjaftoi për një deklaratë të fuqishme, ndërsa sot, kur katër figura qendrore të UÇK-së presin aktgjykimin në Hagë pas një procesi shumëvjeçar, institucioni hesht? A ka ndryshuar BFI-ja? A ka ndryshuar koha? A ka ndryshuar politika? Apo ka ndryshuar diçka tjetër që publiku nuk po e sheh?
Sepse gjithnjë e më shumë dëgjohet një zë i çuditshëm në hapësirat tona, madje para hundëve të Shaqir Fetait e me miratim in e tij: pse të flasim për shqiptarizëm, çfarë na ka sjellë shqiptarizmi, a është shqiptarizmi diçka për të cilën duhet të ndihemi krenarë etj.
Këtu duhet bërë një dallim i madh. Problemi nuk është se çfarë flamuri vendoset në minare, por çfarë flamuri mbahet në ndërgjegje.
Dhe kur një institucion fetar shqiptar hesht për një çështje që prek drejtpërdrejt kujtesën e luftës së Kosovës, ndërsa një institucion simotër në Kosovë vendos të marrë një qëndrim të hapur, pyetja bëhet e pashmangshme, për më tepër kur tashmë në hapësirën shqiptare po shfaqen gjithnjë e më shpesh “zëra serbe” që përpiqen ta paraqesin shqiptarizmin si diçka të dyshimtë, të panevojshme ose madje të papajtueshme me fenë. Këta zëra mund të thonë çfarë të duan. Por një institucion publik fetar nuk mund të sillet sikur nuk i dëgjon. Sepse heshtja, në rrethana të tilla, nuk e zgjidh problemin.
Në Kosovë valon flamuri i UÇK-së mbi minare. Në Maqedoninë e Veriut, duket se edhe një deklaratë për UÇK-në peshon më shumë se vetë minarja. Logjika e Shaqir Fetait do të thoshte kjo është diplomaci, është kujdes. Ndoshta është frikë. Apo, ndoshta alla-shaqiriane: më mirë të mos thuash asgjë, sepse çdo fjalë mund të ketë çmim.
Por nëse një institucion nuk mund të flasë kur historia troket në derën e tij, atëherë për çfarë duhet të flasë? Dhe nëse udhëheqësi i tij nuk mund të thotë një fjalë për shqiptarët dhe për kujtesën e tyre, pa pritur lejen e dikujt tjetër, atëherë kujt i përgjigjet?
Kur edhe minarja hesht, pyetja nuk është më pse nuk valon flamuri i UÇK-së — por: kush ia ka lidhur gjuhën BFI-së dhe kujt i trembet Shaqir Fetai më shumë se sa i beson kujtesës shqiptare? (Kombetare)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *