Në fokus

Ka përfunduar Festivali “Teatri Shqiptar Moisiu”, i cili që nga ky vit do të marrë karakterin lëvizës dhe do të organizohet edhe në Tiranë dhe Prishtinë. Pra, në Shkup do ta kemi sërish pas tre viteve! Deri atëherë do të ketë kohë që me këmbë në tokë t’ia mendojmë më të mirën kësaj ngjarjeje kombëtare që mbahet në prag të festave të Nëntorit!
A është më e mira që kjo ngjarje kombëtare të organizohet nën kujdesin e Ministrisë për Sistem Politik dhe Marrëdhënieve ndërmjet Bashkësive Etnike? Në fakt, ishte fat që kjo iniciativë u ngrit në momentin kur në krye të kësaj Ministrie është një shqiptar, dhe ja që doli një subjekt me ndihmën e të cilit pa problem u organizua sivjet ky Manifestim! Megjithatë, për një ngjarje të tillë nuk është fare e thirrur kjo ministri, por Ministria për Kulturë!
Veç kësaj, ministri i kësaj ministrie, respektivisht, z. Artan Grubi, nuk është këtu që të organizojë manifestime, por që t’i institucionalizojë ato duke i ngritur në institucione nacionale!
Ai nuk duhet të jetë i entuziazmuar se ia dolëm ta përcjellim një festival teatral, por duhet që ta shfrytëzojë pozitën e lartë dhe të urdhërojë Ministrinë e Kulturës që urgjentisht të ngrejë iniciativë për themelimin e Institucionit Kombëtar “Festivali i Teatrit Shqip – Moisiu”! Dhe, a duhet të jetë festival apo manifestim? Çka është njëra e çka tjetra në syrin e Ministrisë për Kulturë!
Në bazë të konceptit të politikave kulturore që janë ngritur prej kohësh në këtë ministri, manifestimet janë ngjarje kulturore ku marrin pjesë më shumë subjekte kulturore, që mund të zgjasin disa ditë dhe që mund të organizohen nga subjekte të ndryshëm. Përkrahja financiare e ministrisë nuk është e plotë, mund të jetë modeste apo simbolike. Mund edhe të mos e ndihmojë fare duke e konsideruar si manifestim jo të denjë apo jashtë politikave të shprehur në strategjinë kombëtare për kulturë!
Festivalet janë ngjarje më serioze, mund të organizohen edhe nga subjektet fizike apo edhe nga ato juridike, por që janë private! Festivalet e vërteta, për të cilat gjithmonë ka një buxhet të sigurt shtetëror, i cili asnjëherë nuk guxon të zvogëlohet më pak se buxheti i vitit paraprak, janë ato festivale që janë të ngritura në institucione nacionale! Një institucion i tillë, pavarësisht se kush është në krye të Ministrisë së Kulturës (shqiptar apo maqedonas), pavarësisht se çfarë sistemi politik do të zhvillohet në shtet, ai gjithnjë do të jetë institucion nacional për buxhetin e të cilit kujdeset ministria gjegjëse, respektivisht vetë shteti!
Institucioni nacional ka të punësuar, ka zyrën e vet, ka drejtorinë, bordin drejtues, ka xhirollogarinë e vet, ka buxhetin, ka kompetencat dhe përgjegjësitë e veta.
Festivali “Teatri Shqiptar Moisiu” duhet të jetë në nivel të Institucionint Nacional “Mbrëmjet strugane të poezisë”, apo të IN “Mbrëmjet Operistike të Majit”, apo IN “Vera e Ohrit” etj. etj. Vetëm Festivali “Mbrëmjet Strugane të Poezisë” ka buxhet që Institucionit ia mundëson shpenzimet vjetore sa të gjitha shpenzimet që ndahen për një vit për projektet kulturore shqiptare.
Ndryshe, shqiptarët kanë plotë manifestime private e gjysmë private, nëpër të cilat regjistruesit zgjidhen vetë drejtorë e vetë arkëtarë, vetë organizatorë e vetë shoferë. Është koha që subjektet tona të jenë më të ndërgjegjshme, më seriozë në punë dhe mos të tallen me projektet madhore kombëtare në sferën e kulturës. Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për Sistem Politik, z. Artan Grubi, do të bënte mirë që menjëherë të ngriste iniciativën e themelimit të këtij Festivali në Institucion Nacional, sepse festivale si ky i “Moisiut” shqiptarët e Maqedonisë së Veriut kanë plot. Nuk i duhet edhe një, aq më pak një të atillë, të cilës, në mënyrë naive, zot i del një parti politike! Të bëhemi seriozë dhe të themelojmë të paktën një festival teatral me “themele në tokë”, dhe jo të bëjmë diçka që vit për viti vjen duke u zbehur e duke u shuar, apo edhe më keq, të kemi edhe një “festival lypës”, sepse në mungesë të buxhetit stabil do të kërkohet lëmosha! /HEJZA/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You May Also Like

Botuesi dhe shkrimtari

Midis nesh Një prej shkrimtarëve më të mëdhenj në botë, me flokë…

Kujtesa kombëtare

Midis nesh Në çka bazohet kujtesa kombëtare? Natyrisht, mbi të gjitha, në…

Maqedonia e Veriut apo Maqedonia Veriore?!

Probleme gjuhësor Shteti i Maqedonisë shtrihet në një hapësirë të Maqedonisë së…

Politikat kulturore me hapa të gaforres

Letër nga Shkupi Për këto tri dekada të sistemit post-komunist, të cilin…

N’atë gusht ku rrije ti

Inida Brahimi N’ATË GUSHT KU RRIJE TI N’atë gusht ku rrije tiharlisur…