Letër nga Shkupi

Çka do të ndodhte me Maqedoninë e Veriut sikur të mos ishte përcaktimi properëndimor i shqiptarëve të këtushëm dhe ku do të shkonte ky shtet sikur të mos ishin votat e deputetëve shqiptarë të cilët bënë që RMV-ja përfundimisht të nis negociatat për inkuadrim në BE!
Që nga pavarësimi i Maqedonisë së Veriut, roli i këtij shteti në raport me shqiptarët ka qenë tepër destruktiv, natyrisht si pasojë e një antishqiptarie jugosllave që e kishte helmuar edhe popullin maqedonas! Madje, si pasojë e politikave shoviniste, si pasojë e vendosmërisë nacionale maqedonase për t’ua treguar vendin shqiptarëve (si qytetarë të rendit të dytë!), ndodhi edhe konflikti ndëretnik i vitit 2001! Pas kësaj periudhe, urrejtja nacionale (me shenja të qarta histerike), e cila më herët do të provohet me incidente të kurdisura, me fushata të orkestruara antishqiptare, me diskriminime nonshalante institucionale, sidomos në sferën e kulturës dhe te arsimit, do të shtetëzohet, madje duke e ngritur edhe në kategori kushtetuese mosdurimin kundër shqiptarëve! Marrëveshja e Ohrit në fakt e lakuriqësoi deri në palcë problemin maqedonas që e kishin me popullin shqiptar rezident! Kanë ekzistuar edhe ide akademike maqedonase për ndarje të Maqedonisë, për shkëmbim territoresh e popullsie, vetëm e vetëm që të marrë fund bashkëjetesa e maqedonasve me shqiptarët!
Përkundër këtyre qëndrimeve nacionale e shtetërore, megjithatë shqiptarët kurrë nuk i mohuan si popull, kurrë nuk ua mohuan fenë, as kulturën, as historinë, as shtetin, siç ua mohuan këto shenja identitare serbët, grekët, bullgarët! Me të gjithë u gjet kompromisi, vetëm me shqiptarët jo! Me shqiptarët u gjet rruga e eurointegrimeve pa kushte!
Mirësia e shqiptarëve bëri që, të paktën, në një segment maqedonasit të dalin “të saktë”, me argumente “të pakundërshtueshme” dhe me “fakte historike” që nuk mund të provohen ndryshe!
Nëse ia dolën grekët, serbët e bullgarët që t’i detyrojnë dhe të heqin dorë nga falsifikimi i fakteve historike, nga antikizimi i popullit maqedonas, nga përvetësimi i ngjarjeve, i personazheve historikë e i heronjve të huaj, të paktën në raport me “të vërtetat” për shqiptarët, do të jenë të qetë e të lumtur!
Asnjë diskriminim, asnjë vjedhje nga e kaluara folklorike, historik, sociale, politike, asnjë ofendim e poshtërim nuk kanë përjetuar nga “shkencëtarët” dhe “ideologët” maqedonas as serbët, as grekët dhe as bullgarët sa kanë përjetuar shqiptarët! Maqedonasit u detyruan, po detyrohen dhe, me memorandume bashkëpunimi me bullgarët, do të detyrohen edhe akoma të heqin dorë nga “të vërteta shkencore” që ia kanë ofruar popullit të vet! Dhe, kjo zbythje nacionale maqedonase interpretohet si akt i turpshëm që u vije nga shqiptarët! Ndaj dhe në protestat e fundit, dy-tre ditë para se të pranohen “kushtet franceze” për nismën e dialogut për inkuadrim të RMV-së në BE, tërë urrejtja nacionale, tërë sharjet, ofendimet dhe mallkimet u zbrazën mbi shqiptarët! Shqiptarët, me qëllim që të tregohen pro-evropianë, duke i “zbërthyer” këto sulme shoviniste si “strategji ruse”, nuk u provokuan nga maqedonasit, por as që denjuan që “t’i provokojnë” duke i detyruar që të revidohen në qëndrime nacionale ndaj shqiptarëve! Vetëm shqiptarët nuk i kushtëzuan që ta ndryshojnë raportin, që t’i korrigjojnë mësimet dhe ligjëratat e tyre “akademike” mbi shqiptarët. Në këtë aspekt, a do të lejohet që të europianizohet “e vërteta maqedonase” për shqiptarët!
Në enciklopedinë maqedonase, në historitë e tyre, edhe më tej shkruhet se shqiptarët janë popull barbar, i pakulturuar dhe ardhacakë nga malet! Edhe më tej thuhet se UÇK-ja ishte organizatë terroriste e ndihmuar nga amerikanët dhe NATO! Lufta e shqiptarëve nuk shpjegohet si luftë kundër diskriminimit politik, kulturor, arsimor, shëndetësor, social etj., por si luftë e shqiptarëve, e ndihmuar nga jashtë, për shkatërrimin e Shtetit të Maqedonisë së Veriut! Me kushtetutë shqiptarët janë popull “20 për qind”! Reliktet, trashëgimia kulturore, artefaktet arkeologjike, ushtria, policia, valuta, gjithçka është maqedonase, do me thënë nuk i përket asnjë populli dhe asnjë kulture tjetër që është zhvilluar në këtë nënqiell, por çdo gjë është maqedonase! Në momentin që publikisht do të pranohet se në Maqedoninë e Veriut ka edhe diçka që është shqiptare, atëherë, qind për qind, maqedonasit do të insistojnë të revidohen interesat gjeostrategjike dhe kombi maqedonas të drejtohet kah vlerat sllavo-ruse! Shqiptarët le t’i marrin plaçkat dhe le të shkojnë për në Shqipëri! Ky është sugjerimi i Levicës dhe i opozitës dhe pozitës maqedonase!
Maqedonia ka vetëm një kusht për inkuadrimin e saj në BE: të ngelë dhe të pranohet ndërkombëtarisht e vërteta maqedonase për sa i përket shqiptarëve të RMV-së! Shqiptarët, mjerisht, sikur po solidarizohen me këtë “të vërtetë maqedonase”! /HEJZA/

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You May Also Like

Karrieristi me bishtin e zënë

Dhembje të tmerrshme do të ndjejë macja kur i zihet bishti me…

Lindita Nikolla, kryetarja e re e Kuvendit të Shqipërisë

Në krye të Kuvendit të Shqipërisë do të jetë një grua. Bëhet…

Për një BFI të mirëfilltë

Shkruan: Mirdi Brao / Si nënpunës fetar të këtij institucioni gjithmonë kemi…

Osmani: SHBA i ka kërkuar Kosovës strehimin e përkohshëm të afganëve

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, e ka konfirmuar kërkesën e Shteteve të…