Bashkimi kulturor, mision i (pa)mundshëm

Enkas për HEJZËN, Bardhyl ZAIMI


Gjatë tërë kohës nga mendje të përveçme dhe tërësisht me vetëdije të kristalizuar është shkruar mbi fragmentarizimin e kulturës shqiptare. Fatkeqësisht, këto zëra kanë tingëlluar si “vox clamantis in deserto” në rrethana të mungesës së politikave kulturore dhe në rrethana të një komunikimi aksidental kulturor brenda sistemit kulturor shqiptar.
Mbase gjithë kjo përpjekje për të vendosur shenja në hullinë e përbashkimit kulturor mund të duket një ide romantike në kohën kur tashmë kemi realitete krejtësisht tjera socio-kulturore në hapësirën shqiptare, në kohën kur kemi një lloj ridimensionimi edhe të konceptit kulturë që i tejkalon format e parme, me të cilat jemi mësuar ta konceptojmë jetën kulturore dhe bashkë me këtë edhe identitetin kulturor.
Siç e dimë, shqiptarët kanë kaluar për pesëdhjetë vite në tunelin e errët komunist që ka pamundësuar komunikimin normal kulturor të hapësirave shqiptare. Një diellzënie kaq e gjatë ideologjike ka zvenitur tërësisht komunikimin kulturor. Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut brenda kësaj kohe kanë pasur një komunikim të ngjeshur me Kosovën, por jo edhe me arean kulturore në Shqipëri. Njëjtë edhe Kosova nuk pasur gjatë periudhës komuniste në Shqipëri ndonjë komunikim domethënës, duke mos përjashtuar këtu botimet e një sërë krijuesish nga Shtëpia Botuese ” Rilindja”, e cila ka qenë një institucion i jashtëzakonshëm kulture.
Sidoqoftë, në tashmë ndodhemi në një situatë krejtësisht tjetër që e nënkupton lirinë e komunikimeve kulturore, por që realisht nuk ndodhin, ose ndodhin krejt aksidentalisht në forma hazarde dhe që nuk e gjejnë rrugën e një strukturimi institucional, gjithnjë duke u bazuar në pluralitetin e shfaqjeve kulturore në tërësinë e produksionit kulturor shqiptar.
Kjo situatë e fragmentarizimit të skajshëm më së miri mund të përshkruhet me poezinë e Kavafisit ” Muret”. Ne kurrë nuk e dëgjuam si u ngritën këto mure dhe tashmë jemi brenda ngujimeve provinciale kulturore që stolisen me madhështi të paqena.
Sigurisht, në gjithë këtë situatë ne nuk mund të kërkojmë përbashkime mendësie folklorike dhe formash të deplasuara, por mund të debatojmë për të identifikuar shkaqet e këtij ekskomunikimi të ri që vjen me shumë fytyra të padepërtueshme. Kjo nënkupton nisma konkrete të institucionalizuara, të cilat do të krijonin një momentum të ri bashkëpunimesh kulturore, gjithnjë duke pasur parasysh ridimensionimin e konceptit kulturë dhe format moderne të komunikimit.
Muret e izolimit provincial mund të bëhen të paqena vetëm duke krijuar një vizion të përbashkët kulturor dhe duke kultivuar me përulësi ndjeshmëritë kulturore në pluralitetin e tyre krijues.
Dhe ky debat mbi mungesën e komunikimeve kulturore shqiptare duhet të ngritët domosdoshmërish në radhë të parë në nivele institucionale, duke përfshirë njerëz që posedojnë dije dhe vizion kulturor, ndërsa më pas të operacionalizohet në bashkëpunime konkrete.
Kultura është gramatika e jetës shoqërore. Kultura është botëkuptimi, dimensioni transandental i njësisë kombëtare. Kultura është kultivim i pandërprerë i qenies njerëzore, i një kolektiviteti dhe identitetit të tij. Ajo është gjithë universi simbolik që i jep trajtë, që e formëson një kolektivitet.
Së këndejmi, dekompozimi kulturor do të thotë dekompozim i identitetit, do të thotë akulturim dhe paqenësi.
Koha është që të ridimensionojmë jetën dhe vizionin tonë kulturor përbashkues me politika konkrete institucionale dhe me forma kreative bashkëpunimesh. Fatmirësisht, ka bashkëpunime që vijnë nga ndjeshmëri të përbashkëta vizionesh, por kjo nuk mjafton. Kulturës shqiptare i duhet një impuls i fuqishëm dhe një zgjim substancial për ta ripohuar veten në njëshmërinë e saj, për ta pohuar vetën në pluralitetin e ndjeshmërive krijuese.
Për ketë nevojitet debat teorik, konceptual dhe mbi të gjitha krijues. Strategjia e komunikimit kulturor duhet të burojë nga ky debat, nga mendjet kreative që kanë përbrendësuar trajektoren e kulturës shqiptare dhe që kanë dije moderne mbi politikat dhe produksionet kulturore.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You May Also Like

Letër nga Shkupi – KUSH PO I PËRJASHTON AUTORËT SHQIPTARË!

Vitin e kaluar Ministria e Kulturës së Republikës së Maqedonisë së Veriut…

Intelektuali kombëtar dhe ai partiak

Midis nesh Shqiptarët e dinë se partitë politike janë subjekte juridike që…

Dikur të frikësuar, sot të zhgënjyer

Midis nesh Për shumë çështje polarizimi i shoqërisë shqiptare është evident. Natyrisht,…

Pushteti vendor dhe kultura

Letër nga Shkupi Në vendet e rajonit, sidomos në Maqedoninë e Veriut,…

Imazhi i babait sirian dhe të birit pa gjymtyrë, shpallet fotografia e vitit – fotografi turk flet për momentin e shkrepjes

Munzir Al-Nazzal po ecte nëpër tregun e Idlibit në pjesën veriperëndimore të…