Letër nga Tirana

Kohë më parë, me vendim të Qeverisë shqiptare, u provokua një përplasje në mes komunitetit të artistëve shqiptarë! Qeveria vendosi t’ua rrisë rrogat artistëve të Teatrit të Operës dhe Baletit dhe Ansamblit Popullor, ndërkohë që nga kjo “mirësi” qeveritare nuk përfituan aktorët e Teatrit Kombëtar dhe as të teatrove të tjerë të vendit.
Një prej rregullave kryesore në BE është që komuniteti i artistëve të trajtohet me dinjitet dhe në asnjë mënyrë nuk guxon që ky komunitet të përjetojë diskriminim, “hakmarrje”, apo nënvlerësim nga ana e pushtetit! Artistët janë vlera më e lartë e një shoqërie, shteti obligohet që t’ua ruajë integritetin dhe të sillet me respekt të veçantë ndaj tyre. Natyrisht, jo të gjithë artistë e krijues, sidomos ata që vetë-shpallen si të tillë, e meritojnë kujdesin e shtetit e të shoqërisë, siç nuk e meritojnë as matrapazët që në emër të artit bëjnë marrëzira! Institucionet përkatëse të BE-së tashmë kanë ngritur edhe sistemin e pagave për artistë: çdo shtet obligohet që të themelojë sindikata dhe, me përfaqësues të këtyre asociacioneve që mbrojnë interesat e punëtorëve të arrihet marrëveshje kolektive. Pra, nëse miratohet një ligj për rritje të rrogës, kjo rritje duhet t’i prekë të gjithë ata që përfaqësohen nga një sindikatë gjegjëse! Artist është edhe ai që luan në Teatrin Kombëtar, edhe ai që luan në Teatrin e Fierit, të Shkodrës, të Vlorës etj! Diferencimi i aktorëve, duke mundësuar që akcili grup ta përjetojë “mirësinë” e pushtetit ndërsa të tjerët të ndëshkohen për shkak se janë përpjekur për t’ia prishur imazhin pushtetit, është një gjest jo vetëm i pamenduar, por edhe me pasoja të parikuperueshme ekskluzivisht për pushtetin, i cili, përmes masave të tilla vetëm sa i politizon institucionet kulturore!
Protesta e komunitetit të artistëve kundër vendimit të Qeverisë shqiptare për ta rrënuar godinën e Teatrit Kombëtar pati jehonë në çdo cep të botës së civilizuar. Protestat e fuqizuan dinjitetin e aktorit, ndërsa e kompremetuan rënd dinjitetin e pushtetit aktual! Ngritja dorë kundër protestuesve-artistëve, duke i rrahur e zvarritur nëpër asfalt, vetëm që të realizohet vendimi qeveritar për prishjen e godinës që ishte objekt i trashëgimisë kulturore, ishte një ogurzi për qeverinë aktuale. Që nga ai moment, nuk u ndalën skandalet që po e trondisin pushtetin dhe mbarë shoqërinë! Nëse ky nuk është mallkim, atëherë pa dyshim që është “porosi popullore”: pushteti që kruhet me artistë, çelet plagë që nuk shërohen!
Nuk ka asgjë të keqe në rritjen e rrogave të artistëve të Teatrit dhe Operës si dhe Ansamblit Popullor, e keqja qëndron në hilen e qeverisë! Krijohet përshtypja që ka arritur të manipulojë një-dy institucione kulturore dhe t’i kënaq me një “kockë”, pas së cilës do të vrapojnë edhe artistë të tjerë! Kësisoj, qeveria mund të detyrohet të korrigjojë gabimin e vet dhe, edhe të tjerëve t’ua rrisë rrogën aq sa ua ka rritur (me “marrëveshje” paraprake) artistëve të TOB dhe AP! Përmes kësaj metode mund të rrënohet ai sistem i pagave i kërkuar nga BE-ja dhe, në të ardhmen, rrogat t’u rriten vetëm atyre artistëve për të cilët qeveria vlerëson se janë lojalistë! Kundërshtarët e pushtetit, qofshin këta edhe artistë, do të ndëshkohen me mospërfillje nga pushteti!
Në rastin konkret, kush nuk përfillet? Kush ndëshkohet? Kujt i bie pushteti me shkop mbi kokë? Mbi artistë të Teatrit Kombëtar brenda të cilëve ka figura që janë krenaria e kombit, ka personalitete që kanë kontribuar më shumë se çdo kush në përforcimin e identitetit kulturor shqiptar! Dhe, kjo krenari kombëtare të detyrohet që t’i shkruajë letër proteste qeverisë, duke i dhënë edhe afat kohor deri ku duhet ta korrigjojë vendimin e vet tendencioz, kjo nuk mund të interpretohet si “moment hakmarrjeje” e qeverisë, kjo nuk flet as për pozitat e rënda socio-ekonomike të artistëve tanë, por, thjesht, flet për një momentum që e degradon një pushtet deri në përmasa të totalitarizmit!
Janë të papranueshme arsyetimet e pushtetit se artistët do të ndëshkohen për shkak të pasivitetit të tyre! Pasiviteti i artistëve është pasqyrë e politikave idiotike menaxheriale për të cilat vendosin pushtetet dhe jo artistët! Këto politika, pa dyshim, vetëm sa e rrisin artistin dhe e zvogëlojnë pushtetin! /HEJZA/

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You May Also Like

Politikat kulturore të shtetit dhe të institucioneve nacionale

Midis nesh Me politikat kulturore nënkuptojmë orientimin nacional, përcaktimin strategjik, angazhimin e…

SHKËPUTJA NGA REALITETI

OSMAN DEMIRI për frymëzimin Kushti i parë për t’u marrë me art,…

REMZI SALIHU, për frymëzimin, procesin krijues, kohën…

FRIKË NGA FJALA… Pa dashur të hyjë në detaje dhe definicione të…

Botimi, modë apo nevojë shpirtërore!?

Shqiptarët nuk mund dhe nuk kanë të drejtë të ankohen sa i…

Nata e parë, ose, shiu i lotit

Nata e parë, ose, shiu i lotit grurin dhe kashtën i mori…