Roland Qafoku /

Nëse Serbia e mbajti për afro 100 vjet Kosovën, gjatë këtij shekulli ajo tokë është larë me gjakun e burrave dhe grave që luftuan me armë në dorë kundër reprezaljeve dhe gjenocidit. Kështu ndodhi atë të martë të nxehtë të 22 korrikut të vitit 1924, kur plumbi i dalë nga pushka e një serbi e plagosi rëndë Azem Galicën për t’i shkaktuar vdekjen katër ditë më vonë.

SKENA E VRASJES

Pas mesit të natës së 21 korrikut 1924, rreth dymijë ushtarë të shoqëruar me 12 topa të ushtrisë jugosllave ia behën në Kosovë duke sulmuar fshatrat Galicë, Mikushnicë dhe Lybavec. Objektivi ishte asgjësimi në masë i shqiptarëve që i kishin rezistuar pushtetit serb.

Mes tyre objektivi kryesor ishte vrasja e Azem Galicës dhe trimave të tij, prandaj rrethimi i kullës së tij ishte pjesa më e rëndësishme e planit të këtij sulmi. Por, edhe pse të papërgatitur, rezistenca e Azem Galicës dhe e gjithë trupave të tij, të mbështetur nga e gjithë popullsia e zonës, ishte heroike. Gjatë luftimeve një plumb e goditi në shpatullën e djathtë, por plaga nuk ishte e rëndë dhe ai vazhdoi luftimet, edhe pse ishte plagosur.

Pas tetë orë luftimesh me 84 trima të vrarë kundrejt 94 serbëve të vrarë, Azem Galica me bashkëshorten e tij Shotën, dhe trimat, arrijnë të gjejë një shteg për t’iu shmangur rrethimit. Ishte ora 16:00 e 22 korrikut 1924 kur dy xhandarë po e ndiqnin nga pas, duke qëlluar në drejtim të tij.

Një plumb tjetër goditi gjerdanin e fishekëve rezervë që mbante në brez dhe kjo shkaktoi shpërthimin e barutit të disa fishekëve, duke i sjellë dëmtim të rëndë të shtyllës kurrizore. Që nga ky moment Azem Galica ishte i paralizuar.

I ndodhur në këtë gjendje, shokët e transportuan duke e vendosur në një barelë të përgatitur me mjete rrethanore. Pas tri ditësh udhëtim me disa ndalesa, Azem Galica vdiq në duart e bashkëluftëtarëve të vet dhe të bashkëshortes Shota. Ishte ora 06:00, 25 korrik, kur teksa jepte amanetet e fundit ai dha shpirt.

AZEMI DHE SERBIA

Për të kuptuar më mirë se kush ishte dhe sa peshë kishte Azem Galica, mjafton të sjellim një deklaratë të deputetit të Kosovës, Jovan Magovçeviçqi në Parlamentin e Beogradit, më 11 tetor 1923, i irrituar ndaj veprimtarisë së tij: ”Zotërinj, unë i kam dy vota, një si deputet i rregullt i Kuvendit Popullor dhe një si deputet i jashtëm i shtetit të Azem Galicës”.

Për luftën në Arbërinë e Vogël folën qarqet e mëdha politike e diplomatike të Evropës. Shtypi i asaj kohe e kishte lëndë të parë këtë betejë: “Në luftën dëshprimtare që u ba, u plaguen 150 shqiptarë. Disa nga këta kanë ardhë për shpëtim në Krumë… Sigurisht Azemi nuk dihet se ku ndodhet”.

Vlen të përmendet se në këto momente doli si kushtrim thirrja që duket sikur kumbon edhe sot: “Prite Azem Galicën”!

VARRI NGA SHPELLA NË NJË KOMPLEKS PËRKUJTIMOR

Ishte një nga amanetet e Azem Galicës që ta varrosnin në një vend të sigurt, të fshehtë dhe të thellë, në mënyrë që trupin të mos ia gjenin serbët.

Bashkëshortja dhe miqtë e tij e varrosën në një vend ku do qëndronte për 47 vjet. Në shpellën “Çuku që kërcet” të malit të Përçevës, 73 metra thellë, varri i tij u ngjan më shumë atyre të faraonëve të Egjiptit të lashtë.

Në vitin 1974 eshtrat u nxorën prej andej dhe u varrosën në varrezat e familjes në Galicë.

Duhet të kalonin 96 vjet që eshtrat dhe varri i Azem Galicës të merrte nderin që meritonte. Më 19 gusht të vitit 2016, shteti i Kosovës i kreu nderim zyrtar, më dinjitozin heroit të vet.

Teksa eshtrat e Azem Galicës varroseshin për herë të dytë, pjesëmarrësit e ceremonisë shikonin me sytë e tyre një hero që besoi se Kosova një ditë do ishte e pavarur dhe e çliruar nga vargonjtë serbë.

ISA BOLETINI, AZEM GALICA, ADEM JASHARI

Tre heronjtë simbol të Kosovës kanë një lidhje të çuditshme mes tyre. Në vitin 1909 teksa kryengritësit kosovarë marshonin hipur në kuaj në Drenicë për të luftuar kundër serbëve, Isa Boletinit i bëri përshtypje një djalë 20-vjeçar që drejtonte trimat e tij shumë herë më të mëdhenj në moshë se ai.

Pasi pyeti se cili ishte ai dhe shoqëruesit i thanë se ishte djali i Bejtë Galicës, Isa Boletini iu afrua dhe i tha: “Të lumtë ore djalosh trim. Ti paske vendosur të çosh në vend amanetin e babait tënd, rrugën e tij luftarake. Zemra m’u bë më mal, sepse Bejta nuk paska vdekur”.

Më 25 korrik 1990 teksa përkulej me plot nderim në varrin e Azem Galicës, Adem Jashari u betua se do të vazhdonte rrugën e lirisë në emër të tij.

Isa Boletini, Azem Galica dhe Adem Jashari, u vranë nga serbët duke u kthyer në simbol të luftës për liri.

Shote Galica ishte në çdo moment gjatë luftimeve të Azemit, kur ai u plagos e deri sa ndërroi jetë. Në vitin 1926 Shote Galica shpërngulet të jetojë në Shullaz të Fushë-Krujës dhe vdiq një vit më vonë aty, më 3 korrik 1927, në mjerim dhe e papërfillur nga shteti i Ahmet Zogut, president në atë kohë.

/Marrë nga libri “100 vrasjet më të bujshme në historinë e shtetit shqiptar 1912-2017”/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You May Also Like

Njihuni me Adem Breznicen

Hafizi që i zmbrapsi bullgarët përtej Prishtinës Beteja e Lisicës (1941/42) shënon…

Shaban Polluzha një luftetar i madh i çështjes kombëtare

Kush ishte Shaban Polluzha ???? I blinduar nga divizione të shumta ushtarake…

Shqiptari Fetah Efendiu sipas dokumenteve të UDB-ës jugosllave

Pas vdekjes së Ataullah Hoxhës (dhjetor të vitit 1946), për udhëheqës të…

Këtu e keni foton e vetme origjinale të Shaban Polluzhës me të shoqen

Shaban Mustafë Kastrati i njohur më së shumti si Shaban Polluzha (Polluzhë, 1871 – Tërstenik, 21 shkurt 1945)…

Historia tragjike e familjes që sundoi 200 vjet Janinën

Dashnor Kaloçi/ Zbulohet historia e panjohur e një prej familje të mëdha…