Ekzekutivi i Unionit do të ofrojë ndihmë edhe për fermerët e Ukrainës
Bashkimi Europian do të ofrojë 500 milionë Euro për të ndihmuar fermerët e vendeve të Unionit për të zbutur efektet e krizës në Ukrainë.
Konflikti midis Moskës dhe Kievit ka shkaktuar rritjen e çmimeve në rang global dhe rritje të kostove të prodhimit. Për të rritur kapacitetin e prodhimit bujqësor, Komisioni Europian propozoi që të lejohet përkohësisht kultivimi i çdo kulture për qëllime bujqësore në toka djerrë.
Komisioni beson se së bashku me eksportet nga India, do të mbulojë nevojën e 20 milionë tonëve grurë që merrej normalisht nga Ukraina. Ekzekutivi i bllokut thotë se nuk ka rreziqe për sigurinë ushqimore, pasi Unioni është vetë ekportues i drithërave. Vendet anëtare mund të shtojnë 1 miliard Euro të tjera në buxhetin e ndihmës. Nga ana tjetër një pjesë e ndihmës do të shkojë edhe për Ukrainën për të ndihmuar fermerët e saj të mbjellin fara misri dhe luledielli.
Ukraina është një nga eksportuesit kryesorë të vajit të lulediellit, me mbi 50% të tregtisë botërore dhe prodhon sasi të konsiderueshme të grurit, elbit dhe misrit.