Bashkimi Europian ka njoftuar se do të fillojë dërgimin e armëve në Ukrainë, hera e parë në histori që unioni ndërmerr një hap të tillë.
Duke folur në një konferencë për shtyp pasditen e kësaj të diele, presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen tha se kjo lëvizje shënon një “pikë kthese”.
Ajo njoftoi gjithashtu një sërë sanksionesh të reja kundër Rusisë dhe Bjellorusisë, si dhe ndalimin e Rusisë që të përdorë hapësirën ajrore europiane.
Po ashtu, BE vendosi që të ndalojë transmetimet për dy media Ruse: Russia Today dhe Sputnik. Ato nuk do të kenë mundësinë që të transmetojnë në asnjë prej vendeve të Bashkimit Europian.
“Sot po ndërmarrim një hap thelbësor për të ndaluar manipulimin e lajmeve nga Rusia në Europë”, tha Josep Borrel ndërsa shtoi: “Po i këpusim kokën gjarprit”.