Midis nesh

Napoleon Bonaparta ishte shprehur se njerëzit i bashkon vetëm frika dhe interesi. Por, ky konstatim i Bonapartës duket nuk vlen për shqiptarët, të cilët, siç na dëshmon përditshmëria, i bashkon vetëm interesi material dhe asgjë tjetër. Kur bëhet fjalë për këtë interes, atëherë të duket se nuk ka popull më të unifikuar.
Kultura shqiptare sikur ka filluar të zhytet në pellgun e së keqes. Të paktë janë ata që ndjejnë gërditje nga vetvetja. Nuk ka asnjë shenjë se gjumi ka filluar të largohet nga ndërgjegjja dhe se turpi megjithatë do t’i detyrojë ata që janë përgjegjës t’i kthehet arsyes. Më mirë vonë se kurrë. Natyrisht, ata që gjithçka shikojnë përmes prizmit të interesit, ata do të vazhdojnë që djallin e tyre shpirtëror ta mbulojnë me vellon e engjëllit.
U mbetet shqiptarëve ta bëjnë shkëputjen radikale dhe t’i kthehen vlerave kombëtare, kuptohet vetëm nëse kanë mësuar diçka nga shumësia e pësimeve. Kërkimi i rrugës së drejtë, pa kthesa, as majtas e as djathtas, gjithsesi do të tingëllonte si diçka utopike, por nëse kuptohet në mënyrë figurative, atëherë kjo do të çonte te esenca e problemit: t’i jepet fund ushtrimit të një anarkie të padukshme në të gjitha segmentet në përgjithësi dhe në kulturë në veçanti, sepse koha tmerrësisht shpejton, duke i lënë vite e vite prapa, gjithnjë duke u marrë me vetveten.
Duhet thënë edhe një të vërtetë: sot, fatkeqësisht, kemi shumë “gjuetarë” të emocioneve, të cilët janë mjeshtër për t’i gjetur pikat më të dobëta të atyre që duan të bëjnë diçka në jetë, por gjithnjë mbi baza të sinqeritetit. Ndër ne ka shumë krijues të mirë, por që nuk mund të vijnë në shprehje, sepse nuk u takojnë grupimeve “letrare” që veprojnë brenda qarqeve të mbyllura dhe të cilat promovojnë vetëm vetveten.
Kur bëhet fjalë për çështje identiteti (kultura si një nga shtyllat kryesore), atëherë shpirti dhe mendja duhet të sinkronizohen, me qëllim që të arrihet baraspesha e tërësishme (e shpirtit dhe mendjes). Ndërkaq, kjo do të prodhonte më shumë dashuri midis shqiptarëve dhe optimizëm se e nesërmja do të jetë e ndritur dhe jo e errësuar.
Shqiptarët duhet ta dëgjojnë zërin e tyre të brendshëm, që është zë i identitetit të vërtetë e që në fakt do t’i largojë nga hamendjet. Shqiptarët duhet ta ndriçojnë vizionin drejt asaj që aspirojnë. Një vizion të tillë e patën edhe figura tona më të ndritura, të cilët ose i kemi harruar ose herë – herë përkujtojmë sa për sy e faqe, e të cilët sakrifikuan jetën për idealin e shenjtë, të cilin ideal grupi i madh i të papërgjegjshmëve e ka nëpërkëmbur deri në asht…
Para se gjithash, shqiptarët së pari, me vepra duhet të dëshmojnë se janë njerëz me mendje e zemër, që ia duan të mirën vetvetes, që janë atdhetarë e besimtarë. Vetëm kur të dalin nga anarkia e padukshme, do ta gjejnë veten dhe të vërtetën… /HEJZA/

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You May Also Like

Revolucioni estetik dhe pseudoreformimi estetik

Midis nesh Artistët, përmes artit të vet, gjithnjë e kanë synuar më…

A BËJMË HUMANITET ME LIBËR!

Nuk është thënë kot: të dhurosh një libër është sikur të dhurosh…

A jemi “një komb – një kulturë”

Midis nesh Programet konkrete bëjnë që strategjitë të mos ngelin vetëm teori…

Letra e shkrimtares së njohur italiane drejtuar fëmijës që humbi

Këtë natë kuptova që ti ishe: një grimcë jete e ardhur nga…

Pushteti vendor dhe kultura

Letër nga Shkupi Në vendet e rajonit, sidomos në Maqedoninë e Veriut,…