Midis nesh

Aktivizmi është formë e organizuar e kundërshtisë qytetare që manifestohet kundër padrejtësive të politikave shtetërore në fusha të caktuara! Te shqiptarët mund të flitet për aktivizëm politik me përmasa të popullores!
Aktivizmi i shqiptarëve në viset etnike në periudhën pas çlirimit prej njëmendësisë komuniste u deshtë të përballet me nacionalizmin dhe shovinizmin që po u imponohej si “sistem politik” i ri! Së këndejmi, shqiptarët u deshtë të organizohen në dy drejtime veprimi: në rezistencë dhe protestë kundër këtij neo-totalitarizmi si dhe në aktivizëm politiko-partiak, si bindje për avancimin e çështjeve kombëtare! Të gjitha analizat objektive dalin në përfundim se ky “aktivizëm” në fakt na doli të ishte një kurth i ngritur nga aspiratat mazohiste për personalizim të pushtetit dhe për qëndrim sa më gjatë në pushtet!
Shqiptarët (gratë, të rinjtë, shkollarët) u bënë shembull i një “aktivizmi politik” si e vetmja mënyrë për t’u “faktorizuar” deri në lidership! Ndërsa popujt e tjerë përreth, gjithnjë e më shumë po i jepnin fuqi aktivizmit kulturor. Derisa në vendet përreth nesh artistë e krijues po iknin nga ombrella e institucioneve nacionale, te shqiptarët kishte ardhur momenti për ta shuar etjen e përfshirjes dhe përfaqësimit sa më të denjë nëpër institucione nacionale e shtetërore. Si te asnjë popull tjetër në botë, te shqiptarët kemi parti që pothuajse tërë elektoratin e vet e ka rehatuar në administratë shtetërore dhe publike, duke e krijuar një “aparat fantastik” që prodhon vota dhe që premton pushtet të gjatë. Institucionet nacionale kulturore janë shndërruar në djep partiak që stimulojnë gjumin në pushtet.
Nuk bëhet fjalë për aktivizmin kulturor individual, të cilin shpesh herë e kemi quajtur si “disidencë”! Atë angazhim artistik dhe atë refuzim politik që e ka bërë, për shembull, Bekim Femiu, nuk e ka bërë asnjë institucion nacional e asnjë artist pas tij! Ndërsa iku nga shqiptarët pa ia dhënë një lamtumirë të fundit shtetëror! Derisa aktivitetet private teatrale në shtetet fqinj ishin shndërruar në lëvizje alternative që po e vinin në siklet pushtetin duke ia kërkuar më të mirën për kulturën nacionale, te shqiptarët e viseve etnike, teatrot alternativë, si Teatri Dodona, Teatri i Babës, po vështroheshin vetëm si xixë në qelinë e errët ku okupatori i kishte burgosur teatrot si institucione nacionale. Në Maqedoninë e Veriut “qendrat teatrale” private nuk po jepnin shenjat e një lëvizje, të një rezistence aktive kundër politikave të pushtetit që kishte ngulfatur çdo aktivizëm kulturor! Më tepër po angazhoheshin si “oponencë” e institucioneve nacionale që ua kishin mbyllur dyert për shkak të “përkatësive” partiake.
Të rinjtë shqiptarë u shndërruan në ekspertë për t’u ngjitur nëpër shtyllat elektrike dhe për të varur flamuj partiakë, në vend se të bëheshin promotorë të një kulture “urbane”! Hapësira e tyre përballë parkingut të makinave që “ruhen” nga Skënderbeu, në vend se të shërbente për kulturën e grafiteve murale, u “uzurpua” për ta profilizuar shqiptarin nëpër etapa e ideologjish, me theks të veçantë, me pamje karakteristike të shqiptarit dhe të jetës së tij marksiste-leniniste-komuniste.
Në mungesë të kapaciteteve për të themeluar e për të ngritur institucione nacionale, galeri arti e fotografie, muze historik, arkeologjik e të artit bashkëkohor shqiptar, tërë kjo nuk mund të mbulohet me “aktivizëm” partiak për të pasur një mural i cili do t’i shpreh vlerat dhe vulën ideologjike partiake.
Pa dyshim, aktivizmi kulturor te popujt fqinjë apo te popujt shumicë me të cilët bashkëjetojnë shqiptarët, financiarisht u përkrahën nga Fondacioni Soros, i cili ishte i pamëshirshëm dhe nuk pati kurrfarë politike financiare për të themeluar, përkrahur dhe ndihmuar aktivizmin kulturor shqiptar, gjë e cila nuk mund të thuhet për Fondacionin Kulturor Zviceran “Pro Helvetia”, e cila, herë pas herë, mbështeti projekte të artistëve shqiptarë.
Deri te sponsorizimi nga “fondacionet” e huaja aktivizmit kulturor i duhej të jetë radikal, të jetë i zhurmshëm, të jetë i gatshëm për pasoja politike e “qortime” nga pushteti të cili ia destabilizon komoditetin politik! Aktivizëm kulturor do të thotë aktivitet artistik si protestë, por edhe angazhim në krijimin e kapaciteteve për të ngërthyer në vete sa më shumë intelektualë, artistë e krijues, ajkën e komunitetit elitar, duke u shndërruar në “lubi” për pushtetin, por edhe për faktorët politikë që mendojnë të vijnë në pushtet.
Një angazhim i tillë me përkushtim e me profesionalizëm te shqiptarët nuk u has në asnjë vend jashtë shtetit amë. Sepse me gjasë, nuk patën nevojë, ose nuk ditën të jepen pas një aktivizmi të fuqishëm kulturor. Ose edhe nuk patën potencial, sepse të gjithë u shkrinë nëpër subjekte politike, duke u angazhuar në “intelektualizimin” e hierarkisë partiake.
Mbase edhe nuk pati kush t’i drejtojë, kush t’i tubojë e kush ta kanalizojë kapacitetin intelektual të individëve të shumtë, siç e bëri këtë në Shqipëri: Platforma Digjitalb, Tring, Tv Top chanel, Tv Klani, me shumë programacione, emisione e projekte kulturor shqiptare! Kasta e fuqishme e aktorëve kombëtar i dhanë përkrahjen regjisorit Gëzim Kam për të themeluar në vitin 2006 të vetmin teatër të hapur veror, i cili e dobësoi deri në mospërfillje varshmërinë e aktorëve nga pushteti kulturo që e donte partizimin e esnafit të teatrit.
Pra, aktivitetet teatrale private, në të gjitha trevat shqiptare, u bënë sado pak i vetmi produksion artistik që manifestoi aktivizëm, që shprehu rezistencë, “padëgjueshmëri” përballë politikave kulturore si dhe praktikave mediale e të institucioneve kulturore-nacionale! Përtej kufijve administrativë, aktivizmi shqiptar ishte, thjesht, kafshatë lehtësisht e kapërdishme nga subjektet politike që “pasivizmin e servilosur” të intelektualëve të dëgjueshëm e të përulur e interpretonin si “besnikëri e personaliteteve” karshi politikave të mëdha kombëtare! Aty ku nuk ka aktivizëm të përgjithshëm, çdo gjë është jokombëtare! RILINDJA KOMBËTARE ngel si i vetmi model historik për aktivizmin shqiptar pa të cilin sot vështirë se mund të shtyhen proceset aq të shumta kombëtare. /HEJZA/

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You May Also Like

Ndarja e “kekut” dhe online-dashuriçkat e kuazikrijuesve!

Midis nesh “Funksionarët provincialë” (në kuptimin e komisioneve partiakë) shpesh herë dinë…

Mungesa e një çmimi dinjitoz

Letër nga Tetova Përderisa në Shqipëri e Kosovë sado kudo vlerësohet letërsia,…

POLITIKË DHE STRATEGJI KOMBËTARE KUNDËR KULTURËS SHQIPTARE

Nga Avni Halimi / Cila ishte pozita kulturore e shqipytarëve të Maqedonisë…

ÇFARË FESTIVALESH NA DUHEN!

Midis nesh Shqiptarët kanë shumë festivale! Nëntëdhjetë e nëntë për qind prej…