REALITETI LETRAR DHE AI JETËSOR

(Enkas për HEJZA-n)
Kam përshtypjen se shkrimtarët e mirë, e shkruajnë dhe e përdorin letërsinë e tyre, jo si mjet për të shfryrë ankthet dhe emocionet, as si shkallë të padukshme, për ta ngjitur veten në panteonet e një fame të caktuar. Një gjë e tillë do ta relativizonte përfytyrimin tonë për një shkrimtar dhe veprën e tij jetësore. Unë mendoj se shkrimtari lind në një habitat të caktuar jo rastësisht, por si një nevojë e brendshme për ta ndryshuar atë dhe për t’u ndjerë më i lirë. Ka një lidhje të ndërsjellët mes treshes: vepër letrare, shkrimtar dhe liri frymëzimi. Edhe pse kjo e fundit duhet të jetë gjithmonë në vendin e parë, natyrisht pa abuzuar me shenjtërinë e saj absolute. Në këtë kontekst, thënia e njohur e Kunderës, se “për një shkrimtar nuk është primare predikimi i së vërtetës, por zbulimi i saj”, është shumë sinjifikativ. Shembujt e dështimit të shumë veprave në prozë dhe në poezi në diktaturë, edhe pse mbanin në kopertinë emra autorësh të talentuar për kohën, tregojnë dëmin e pariparueshëm, që shkakton për një letërsi censura e egër dhe mungesa e lirisë së frymëzimit. Karakteristikë dalluese e kësaj letërsie ishin subjektet dhe tematikat e imponuara, ku heroi kryesor duhej të sillej brenda kufijve të përcaktuar nga ideologjia e kohës, ndërsa gjithë personazhet e tjerë duhet të silleshin si buratinë përrallash. Ishte kjo mungesë lirie që provokoi më pas një uniformitet stilesh dhe letërsi skematike, larg çdo karakteristike dhe vlere që duhet të kishte një letërsi e vërtetë. Për fat të keq, modele të tillë vazhdojnë të ndiqen edhe sot e kësaj dite nga një numër jo i vogël krijuesish të paaftë. Është e qartë që një letërsi e tillë nuk mund të rezonojë me kohën dhe nuk mund të marrë mbi vete ngarkesa dhe problematika të rëndësishme për të. Unë e konsideroj mungesën e frymëzimit si liri edhe mostrajtimin në dimensionet dhe thellësinë e duhur të një sërë temash të rëndësishme të aktualitetit, siç janë ato të prostitucionit, të kurbetit apo ato të luftës kundër drogës, korrupsionit etj. Të tilla vepra pa vizion dhe pa forcë identifikuese, do të përcaktohej një krijues yni, ju ngjajnë më shumë arançatave që konsumohen në vapë, por që ta shtojnë edhe më shume etjen. Është e qartë qe dukuri të tilla meritojnë më shumë vëmendje dhe diskutime edhe në të ardhmen. Personalisht në krijimtarinë time, jam munduar të çlirohem nga kufizimet dhe skemat shabllone të së dikurshmes, por që megjithatë vazhdojnë t’i shoqërojnë akoma shumë krijues kolegë të mi, poetë. Është e rëndësishme të priresh nga hapësira dhe liria e fantazisë. Nëse në librin e parë “Romancat e muzgut” vihej re një ngurrim për të kapërcyer kufijtë e frikës nga liria dhe për t’u parë sy me sy me të ( atëherë s’më ndahej pyetja se çfarë të thonë njerzëit apo familjarët e mi, kur ta shfletonin librin dhe të njiheshin me dashuritë dhe aventurat e mia imagjinare). Në librin e fundit “Megjithatë”, heronjtë apo heroinat e mia të dala tashmë nga tuneli i territ të autocensurës, janë më të gjallë dhe më të lirshëm në shpërfaqjen e botës së tyre shpirtërore, duke mos ia fshehur askujt nevojën e domosdoshme për të pohuar vetveten. Edhe pse njohjet e mia me ta janë më shumë rastësore, ata më besojnë shumëçka nga historitë e tyre individuale, histori dashurish dhe zhgënjimesh të moshës. Një sjellje pak më të avancuar duket se kanë edhe heronjtë e mi lirikë në librin që kam në dorë që s’dua hë për hë t’ia bëj publike titullin. Një krijues i mirë nuk duhet të ketë frikë nga të vërtetat dhe sjellja e lirshme e personazheve të tij, sepse në të gjitha rastet liria që reflektojnë ata e qytetëron veprën e tij letrare. Sot kur njerëzit janë të çliruar nga komplekset e frikës dhe fshehjes së vetvetes, respekti dhe promovimi i shprehjes së lirë është detyrë primare për çdo kënd prej nesh. Natyrisht që në këtë proces evidentimi edhe mua më ka ndodhur të përplasem dhe të debatoj me lexues dhe kolegë të mi, të paformuar, të cilët artin dhe letërsinë e konsiderojnë ende mjet për “edukimin e masave të gjera punonjëse dhe e shohin ende me llupë çdo tentavë për të kaluar vijat e kuqe ekzistuese” te pasqyrimit. Të tille krijues nuk e njohin funksionin e trillit dhe vlerën e lirisë dhe imagjinatës. Ata janë pa vizion dhe vuajnë ende nga natyralizmi dhe karakteri populist, që duhet të ketë sipas tyre një vepër letrare. Problemi i gjithkohësisë së një vepre, varet shumë edhe nga lënda mbi të cilën krijuesi arrin të gatuajë brumin e tij artistik, të krijojë personazhet dhe kontradiktat mes së mirës dhe së keqes, mes të bukurës estetike dhe të shëmtuarës në jetë. Nëse realiteti letrar dhe ai jetësor arrijnë të ngrihen në raporte të barasvlershme dhe nuk i hyjnë në hak njeri tjetrit, suksesi i veprës nuk vihet në dyshim. Në vepra te tilla ka shumë gjetje dhe botë artistike, personazhet që i popullojnë ato, nuk vijnë nga një kohë e shkuar në të sotmen, por nga koha sot, drejt një të nesërme të papërcaktuar. Duke mbartur mbi supe kontradiktat dhe paradokset e kohës ,ata si alter ego të autorëve, ju ngjajnë misionarëve që nisen për rrugë të gjata dhe të vështira, pa ju trembur të panjohurave që mund t’iu ngrejë fati. Armët e tyre si: logjika e lirisë dhe kërkimi i modeleve që lidhen me të, janë kaq të thjeshta në dukje, por dhe kaq të shenjta në brendi. Është kjo logjike dhe ky personalitet i tyre i bukur, që mbush me jetë dhe e bën më interesante narrativën e letërsisë sonë, kësaj të suksesshmes së sotme dhe të asaj që duhet të shkruhet nesër në liri. Liria e frymëzimit është mbi të gjitha liri mendimi….

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You May Also Like

Ndryshku mbi kulturën shqiptare

Midis nesh Çështja e ndërgjegjes, është çështje komplekse. Por, te shqiptarët kjo…

(Për shqiptarët) asgjë e jashtëzakonshme

Libraria Nobel në Shkup në prag të mbylljes! Shqiptarët në Shkup edhe…

Shoqatat kulturore dhe pushtetet politike

Midis nesh Në sistemin demokratik, politikat publike të qeverive të brishta në…

Zhvillimi kulturor jashtë-institucional!

Midis nesh Pas demokratizimit të shoqërive në hapësirat ballkanike, të cilat kaluan…