Midis nesh

Shkrimtari ynë Ismail Kadare, asnjëherë nuk do të pranonte që të veçohej si i vetmi dhe gjithë kritika letrare “të shterohej” mbi të. Ismail Kadare është “universitet” më vete i krijimtarisë letrare prej nga kanë dalë qindra krijues të rinj. Letërsia bashkëkohore shqiptare është një “arkeologji letrare”, në gjirin e së cilës fshihen qindra pasardhës të Kadaresë, si për nga vokacioni krijues ashtu edhe për nga tradita krijuese. Një letërsi që ka nxjerrë një Ismail Kadare nuk mund të na dalë “shterpë”! Në letërsinë shqiptare Kadare nuk mund të jetë rastësi. Prandaj, orientimi i kritikës shqiptare vetëm kah Kadareja flet për një kritikë pasive, e denjë për modifikim të asaj që e kompilon, e aftë për vjelje të shënimeve kritike që kundrohen si “bahçe shtetërore”!
Kritika jonë letrare e dhënë pas krijimtarisë kadarejane, jo që flet se e ka më lehtë për të shkruar mbi Kadarenë, pasi qe ka mijëra shkrime ku mund të “motivohen”, por, mbi të gjitha, flet se kritika jonë, respektivisht, kritikët tanë nuk e njohin dhe nuk janë në gjendje për ta kuptuar, për shembull, Anton Pashkun, Arshi Pipën, Ernest Koliqin, Esad Mekulin, Rexhep Qosjen, Beqir Musliun, Teki Dërvishin, Zejnullah Rrahmanin, Ymer Shkrelin, Dritëro Agollin, Fatos Arapin, Zija Çelën, Besnik Mustafajn, Lazër Stanin, Luljeta Lleshanakun, Mimoza Ahmetin, Ervin Hatibin, Shkëlzen Halimin, Ruzhdi Pulahan, Stefan Çapalikun, Jeton Nezirajn, Haqif Mulliqin, Ramadan Musliun, Abdullah Konushevcin, Basri Çapriqin, Shaip Beqirin, Agim Malën e shumë të tjerë! Sa e njeh kritika jonë opusin krijues të mrekullueshëm të Sabri Hamitit, të Mehmet Krajës, të të madhit Skënder Sherifi e të princit të poezisë bashkëkohore Xhevdet Bajra!
Letërsia për fëmijë ka plotë krijues të mëdhenj, siç janë të mëdhenj për nga prurjet letrare edhe shumë krijues nga diaspora.
Kur do të studiohen të gjithë këta dhe shumë të tjerë për t’ia dëshmuar botës se populli shqiptar nuk e ka vetëm Kadarenë, por ka një duzinë krijuesish brilant. Natyrisht, nxitja apo stimulimi i kritikës për t’i studiuar, për t’u përkthyer, për t’u njohur edhe krijuesit e tjerë shqiptarë është punë institucionesh nacionale, çështje e dikastereve shtetërore, e akademive, e fakulteteve dhe katedrave përkatëse. Pa një program kombëtar afatgjatë, pa projekte konkrete, të nxitur dhe të mbështetur nga institucionet gjegjëse shtetërore, do të ngelim si popull që e pati vetëm një Ismail Kadare, i cili erdhi si “Frymë e Zotit” dhe iku pa trashëgimtarë. Kjo nuk do i bënte nder as letërsisë sonë të bujshme, as krijimtarisë sonë të mrekullueshme popullore dhe as kulturës sonë kombëtare. /HEJZA/

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You May Also Like

Komedi mbi një tragjedi të trishtë

Letër nga Tirana Teatri Kombëtar ka vendosur që në skenë të vë…

Ku mbeti shpirtërorja?

Midis nesh Ka shumë individë të dehur, jo nga alkooli, por nga…

Kritere maqedonase për botime shqiptare!?

Midis nesh Reagimet më të theksuara të shqiptarëve, sapo të publikohet Programi…

Teuta Lagja: SHQIPTARËT DUAN ARTIN E THJESHTË

Teuta Lagja, piktore Teuta Lagja pikturën e pati pasion që në moshë…