Ish-ministrja e Integrimeve dhe kandidatja për deputete nga radhët e LSI-së, Klajda Gjosha, mendon se Shqipëria duhet të rimarrë rolin e saj të një ambasadori për të mbrojtur Kosovën. Sipas saj, raporti mes shteteve shqiptare është luhatur viteve të fundit për shkak të idesë për korrigjim kufijsh.

Gjosha, në një intervistë për KosovaPress, thotë se Shqipëria duhet të lobojë më shumë dhe të ketë një rol më aktiv me shtetet anëtare të Bashkimit Evropian që liberalizimi i vizave të ndodhë sa më shpejtë.

“Shqipëria ka mbajtur gjithmonë një pozicion mjaftë të mirë me rajonin, ka qenë mbështetje shumë e madhe për vendet e rajonit, por sidomos për Kosovën. Fatkeqësisht gjatë viteve të fundit kemi parë edhe luhatje të këtyre marrëdhënieve për shkak edhe të projektit të ndarjes së kufijve dhe realisht ajo çka ne jemi të fokusuar është të rikthejmë marrëdhënien duke respektuar shtetin e Kosovës, sepse është një shtet i pavarur dhe Shqipëria patjetër që duhet ta bëjë këtë dhe të respektojë të gjithë instancat e larta të Kosovës, institucionet e saj, njerëzit e zgjedhur në ato institucione kjo është e rëndësishme. Por e dyta duhet edhe të rimarrë rolin e saj duke luajtur atë rol të ambasadorit që shpesh herë ne e kemi bërë për ta mbrojtur Kosovën por edhe për të kërkuar njohjen e saj tek ato shtete që ende sot nuk e njohin. Një punë shumë e madhe duhet bërë gjithashtu edhe për lobimin pse jo me shtetet anëtare për liberalizimin e vizave. Kosova është një shtet që ka qenë e lirë dhe ka udhëtuar e lirë edhe në kohën kur Shqipëria ka qenë e izoluar dhe është paradoks i madh që në vitin 2021 ende shtetasit kosovarë kërkojnë të lëvizin të lirë në BE dhe janë ende të izoluar ndaj i takon edhe Shqipërisë të luajë një rol shumë më aktiv se deri më sot për të lobuar për liberalizimin vizave për Kosovën”, deklaroi Gjosha.

Gjosha nuk shesh asnjë shqetësim që Lëvizja Vetëvendosje, e cila tashmë udhëheq me Kosovën, po garon edhe në Shqipëri me tre kandidatë të saj në tri qarqe të ndryshme. Sipas saj, votuesit zgjedhin alternativën më të mirë pavarësisht emrit të partisë.

LSI vazhdon të ketë pikë kyçe të saj edhe procesin e integrimit. Gjosha, një ish-ministre e Integrimit, drejton gishtin e fajtorit tek qeveria aktuale për mospërmbushjen e detyrimeve që do t’i hapnin rrugë konferencës së parë ndër qeveritare.

Megjithatë, me LSI-në në pushtet, Gjosha thotë se integrimi do të marrë vëmendjen e merituar dhe përmend dhjetorin si datë të mundshme për konferencën e parë ndërqeveritare.

“Nga një kusht që Shqipëria kishte në 2016 për hapjen e negociatave sot ka 15 kushte dhe janë kushte që kanë të bëjnë me shtetin e së drejtës me pandëshkueshmërinë, kanë të bëjnë me zgjedhjet, janë të lidhura drejtpërdrejt me demokracinë dhe mënyrën se si funksionon demokracia në vend. Dhe duke u nisur nga këtu realisht them që është një proces i cili është anashkaluar këto katër vite por që shumë shpejt jam e bindur që do rikthehet vëmendja dhe do jetë prioriteti numër një për t’u plotësuar. Fatkeqësisht këto 15 kushte e kanë mbajtur Shqipërinë peng për konferencën e parë ndërqeveritare por unë kam bindjen që me ndryshimin e qeverisë dhe me pasjen e një qeverie të re serioze dhe që do të ndërtojë marrëdhënie dhe partneritet shumë të drejtpërdrejtë dhe të fortë edhe me vendet e BE-së mendoj që dhjetori do jetë një datë e mundshme për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare”, u shpreh ajo.

Gjosha përmend ekonominë si një nga fushat në të cilën do të përqendrohet një qeveri e mundshme e LSI-së pas zgjedhjeve të 25 prillit.

“Mbështetja jonë më e madhe shkon për ekonominë që patjetër është një nga fushat kryesore ku duhet të jetë dhe fokusi i qeverisë së nesërme dhe sidomos punësimi i të rinjve ky i lidhur ngushtë me një arsim cilësor. Këto janë dy shtyllat kryesore të programit tonë. Ne e nisim edhe me formalizimin e ekonomisë një nga pikat kryesore është rimbursimi i 5% ku në një mënyrë të paçet në mes të biznesit, qytetarëve dhe shtetit të arrihet formalizimi i ekonomisë ku qytetarët ndërmjet kartës së identitetit të kenë mundësi të rimbursohen 5% e shpenzimit të tyre mujor duke regjistruar të gjitha këto të dhëna në kartën e identitetit”, deklaroi ajo.

Gjosha thotë se nuk mund të akuzohet LSI për shitblerje të votës duke ditur se sot shteti me të gjitha mekanizmat e saj është në shërbim të Partisë Socialiste.

“Në fakt nuk mund të mendohet që të akuzohen sot LSI, një parti opozitare kur ne kemi partinë-shtet e cila ka në dorë të gjithë pushtetin dhe e përdorë atë për zgjedhjet duke filluar që nga financat publike tek administrata publike tek institucionet bazë që janë Policia e Shtetit dhe Inspektoratet shtetërore. Ndaj dhe duket qartë se ku qëndron ana e shitblerjes së votës apo edhe të presionit ndaj zgjedhësve e cila duhet të marrë fund sepse Shqipëria është një vend që kërkon hapjen e negociatave dhe si e tillë duhet të respektojë minimumin e standardeve zgjedhore”, u shpreh Gjosha.

Pavarësisht të ashpërsimit të retorikës, Gjosha thotë se nuk ka asnjë frikë për dëmtim të procesit zgjedhor duke bërë thirrje të gjithë anëtarëve të LSI-së që të mos provokohen dhe të ruajnë qetësinë dhe të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You May Also Like

“Mosparaqitja e Ahmetit dhe Grubit si dëshmitarë, vulosi dënimet e përjetshme për herë të dytë”

Gjykata e Apelit në Shkup sot ka konfirmuar vendimin e Gjykatës Themelore…

Bugajski: Nëse rishikohen territoret në Kosovë, shqiptarët e Maqedonisë mund të kërkojnë bashkim me Shqipërinë

Ndërsa pandemia e koronavirusit shqetëson Uashingtonin, administrata e Trump pa dashje po…

Kurti i publikon me emra e foto: Vrasja e Aganit u urdhërua nga këta dy persona

Faton Kurti, kryetar i Republikanëve të Kosovës, ka thënë se vrasja e…

Hallaçi: Kërkoj zbardhjen e rastit të Kumanovës

Ju bejë Apel te gjithë Shqiptarve mbarë kombëtarë për hirë se vertetës…

Avokatja e Grupit të Kumanovës: Qeveria e Albin Kurtit do t’i lirojë djemtë tanë!

Kërkesa për hetim ndërkombëtar të rastit të Lagjes së Trimave të Kumanovës…